Lamtumirë Conte, ‘mirë se vjen’ Draghi/ Italia piketon kryeministrin e ri

03/02/2021 13:54

Presidentin Italian Sergio Matarella po kërkon ta zgjidhë sa më shpejt ngërçin politik në të cilin është zhytur vendi.

Matarella duket se e kishte ndarë mendjen se kush është njeriu të cilit do t`I kërkojë krijimin e qeverisë së re, e që do të përballet menjëherë me detyrën e vështirë të menaxhimit të pandemisë por edhe krizës ekonomikë. Kreu i shtetit thirri për qëllim personin e konsideruar se “shpëtoi eurozonën nga recesioni”,  ish kreun e Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi. Shpresat janë që Draghi të arrijë të krijojë një mazhorancë solide e të prodhojë stabilitet.

Presidenti Italian e mori vetë në dorë situatën pas dështimit të negociatave të kreut të Senatit mbi arritjen e një kompromisi politik mbi ekzekutivin e ri. Në momentin që nuk u arrit të shpëtohej koalicioni i çalë i Giuseppe Contes, kreut të shtetit i mbeteshin dy mundësi- zgjedhje të parakohshme ose një qeverie teknokratësh e cila ta ndihmojë Italinë të kapërcejë sfidat e mëdha të momentit. Matarella e bëri të qartë se mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme gjatë pandemisë nuk do të ishte një lëvizje e zgjuar. Megjithatë, nuk ka garanci se Draghi, edhe pse mjaft I respektuar, do të arrijë të grumbullojë përkrahje  të mjaftueshme duke qenë se partia më e madhe në parlament, lëvizja 5 yjet, e përjashtoi menjëherë mbështetjen e saj.

Top Channel