Dosja e tërmetit shkon në Gjykatë/ Durrës, 16 të akuzuar për shembjen e godinave në 26 nëntor 2019 ku humbën jetën disa persona

03/02/2021 01:50

Gjykata e Durrësit vendos pranimin e pjesshëm të kërkesës së Prokurorisë dhe çon për gjykim të akuzuarit për pasojat e tërmetit në godinat e shembura ku u shkaktuan humbje jete.

Gjatë një seance të zhvilluar pasditen e vonë të së martës, në një sallë gjyqi ku nuk u respektuan rregullat e kufizimit të numrit të pjesëmarrësve dhe distancimit fizik, gjyqtarja vendosi të çojë çështjen për gjykim me disa ndryshime.

Me kërkesë të mbrojtjes, gjykata pushoi çështjen ndaj ish-kreut të ALUIZNIT Arben Isaku dhe ndryshoi akuzën ndaj Artur Terziut, pronar i lokalit Barons në pallatin në lagjen 6 që u shemb si pasojë e ndërhyrjeve në muret e kolonat ndarëse.

Për Terziun gjykata pushoi veprën penale të falsifikimit të dokumentave, duke zbutur akuzën e Prokurorisë ndaj tij. Gjithashtu për shkak të vdekjes, ka pushuar çështjen e pronarit tw ish-hotel ”Tropikal” në plazhin e Durrësit, Avdulla Osmanin.

Me pranimin e pjesshëm të kërkesës se Prokurorisë, përfaqësuar nga prokurorët Madrid Kullolli, Pali Deccolli dhe Edmond Koloshi, çështja kalon për gjykim, pasi akuza mbërriti në përfundimin se ekzistojnë dyshime të bazuara në prova se 18 të akuzuarit kanë konsumuar vepra penale përmes shpërdorimit të detyrës dhe shkeljeve të rregullave, normave e standardeve të ndërtimit duke çuar në vdekjen e personave që humbën jetën gjatë tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Pas këtij vendimi të Gjykatës së rrethit gjyqësor Durrës, në bankën e të akuzuarve, pas caktimit të trupit gjykues dhe datës së fillimit të gjykimit, do të ulen 16 persona nga 18 të akuzuar fillimisht, për t’u përballur me akuzat e Prokurorisë.

Top Channel