U kthye me medalje ari nga Vjena, atleti Smajlaj rrëfen eksperiencën: Prisja më shumë, ndikuan rregullat e Covid-19

02/02/2021 13:06

Atleti Izmir Smajlaj ka marrë pjesë në Mitingun Ndërkombëtar të Vjenës në Salla të Mbyllura ku ai shkëlqeu teksa fitoi medaljen e artë në garën e kërcimit së gjati me 7.90 m.

Ai kishte 6 muaj që qëndronte në pauzë për shkak të një dëmtimi dhe operimi në gju por ia doli me sukses edhe në këtë garë. Në një intervistë për “Wake Up”, u shpreh se priste më shumë rezultat, por rregullat e Covid-19 mund të kenë ndikuar në performancën e tij.

Smajlaj: Stërvitja më ka ecur mbarë, prisja më shumë. Gjatë stërvitjes kam pasur rezultat më të madh, por që nuk arrita ta bëj në këtë garë. Gjatë stërvitjes e kam kaluar 8 metra, por ishte garë ndryshe nga të tjerat. Për shkak të rregullave të Covidit duhet të shkoja 3 orë para në stadium, të bëje tamponin. Edhe në sallë nuk kishte emocion, asnjë duartrokitje.

Ndër të tjera, Ismajlaj shprehet se duhet të mbrohet akoma më shumë gjatë kësaj periudhe pasi po përgatitet për kampionatin europian. Në rast se infektohet me koronavirus, i dëmtohet stërvitja e të gjithë vitit.

Smajlaj: Duhet ta ruaj veten sa më shumë, sidomos tani para një kampionati europian që zhvillohet në datën 7 mars, duhet të tregohem shumë i kujdesshëm se me një gabim të vogël, shkon dëm stërvitja e të gjithë vitit. Më 10 shkurt do nisem për Stamboll ku do të qëndroj 1 muaj për fazën përgatitore. Shpresoj që gjithçka të shkojë mirë.

Top Channel