Një përleshje mes përfaqësuesve të PSD-së dhe policisë së Kosovës ka ndodhur ditën e sotme në aksionin e Partisë Socialdemokrate.

Ngjarja ndodhi teksa po mbahej një aksion simbolik i PSD lidhur me zgjedhjet në Kosovë ndërsa përdorej parulla “I gjithë pushteti i sovjetëve”. Nga përplasja raportohet se është lënduar një efektiv policie.

PSD thekson se parulla e përdorur para një shekulli përshkruan domethënien e zgjedhjeve në Kosovë, ku në emër të lirisë, demokracisë e zhvillimit po shkojmë drejt një autokracie me tendencë totalitare.

“‘Krejt pushteti sovjetëve’ ishte parrullë bolshevike kundër aleatëve liberal dhe kundër institucioneve qendrore, drejt sovjetëve që ishin këshillat e punëtorëve. Në ditët e para brenda sovjetëve ishte partia; pastaj sovjetët u bënë instrumente të partisë; partinë ndërkohë e merr në kontroll rrethi i ngushtë i pararojës; për t’u qendërzuar në fund në duart e një njeriu.

I njëjtë është procesi këtu. Në emër të luftës ndaj regjimit të vjetër po na përvidhet një “shpëtimtar”. Ky shpëtimtar para pak kohësh ndërroi statutin partiak dhe mori kompetencat për vete; pastaj, mësynë presidencën dhe e shndërruan në zyre partie; në radhe ishte sulmi ndaj KQZ-së; pastaj erdhi slogani ‘krejt pushteti sovjetëve’ në versionin kosovar. Të gjitha për liderin suprem! Populli është një, vullneti i tij trupëzohet tek lideri suprem”, sqaron PSD.

Top Channel