Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti tha se me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin, shteti i Kosovës, shënon konsolidim në arenën ndërkombëtare duke krijuar miq edhe në Lindjen e Mesme.

Hoti shtoi se krahas dokumentit për marrëdhënie diplomatike, të dyja vendet kanë nënshkruar edhe disa marrëveshje tjera që fuqizojnë bashkëpunimin ekonomik dhe politik. Sipas Hotit, vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, tregon qartë efektin dhe rëndësinë që ka marrëveshja e 4 shtatorit 2020, e nënshkruar në Uashington dhe falenderoi të dy administratat amerikane për mbështetjen që i kanë dhënë kësaj marrëveshjeje.

Në një ceremoni virtuale, Kosova dhe Izraeli formalizuan vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi nënshkruan dokumentin ku thuhet se të dyja shtetet vendosin marrëdhënie diplomatike, me qëllim që të rrisin bashkëpunimin në shumë sfera.

‘Sot ne po bëjmë histori pasi po vendosim marrëdhëniet diplomatike mes Izraelit dhe Kosovës, një moment që shumëkush e ka pritur. Unë mendoj se kjo është e para herë në histori që marrëdhëniet diplomatike lidhen përmes Zoom’- tha Ashkenazi.

Për ministren në detyrë të punëve të jashtme, Kosova po e “thyen kështu zinxhirin e fushatës agresive të Serbisë për çnjohjen e Kosovës”. Ajo konfirmoi se Ambasada e Kosovës do të jetë në Jerusalem.

“Ky është zotim që derivon nga Marrëveshja e Uashingtonit dhe telefonatës së Hotit me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Zyrën Ovale”- tha Stublla.

Hoti dhe Haradinaj-Stublla thane se shkëmbimi i ambasadorëve mes dy vendeve do të ndodhë pas përfundimit të procedurave ligjore përkatëse.

Top Channel