Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko ka folur për interpelancën e thirrur nga opozita për votën e emigrantëve në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Në fjalën e tij në Kuvend, korrigjoi opozitën parlamentare duke thënë se duhet shmangur përdorimi i fjalës “emigrant” pasi flitet për shqiptar me banim jashtë vendit.
Ndërsa theksoi se ka informuar rregullisht KQZ, si dhe shtoi se nuk ka asnjë problem ligjor në lidhje me votimin e shtetasve shqiptarë jashtë vendit për zgjedhjet e 25 Prillit. Majko shtoi se nuk mund të pritet konsensusi me opozitën për të realizuar të drejtën e votës së shtetasve jashtë vendit.
Pandeli Majko: Problemet e cituara në interpelancë nuk ishin të adresuara. Duhet shmangur përdorimi i fjalës emigrant, por bëhet fjalë për shqiptarë me banim jashtë vendas. Në ligjin për çështjen e votuesve jashtë vendit janë miratuar dy nene, të cilat përfshijnë procedurën e vlerësimit dhe votimit jashtë vendit.
Si ministër i shtetit për diasporën kam raportuar rregullisht me paraqitje në komision dhe me shkrim cdo tre muaj për komisionin e politikës së jashtme me një bulletin të posaçëm. Kuvendi ka miratuar më 23 korrik 2018 rezolutën për reformën e politikës shtetërore për diasporën. Për zbatimin e kësaj rezolute kam raportuar pranë kryetarit të kuvendit.
Për interesimin e grupit të deputetëve për procesin e votimit jashtë vendit në zbatim të kodit zgjedhor ju informoj se kam qenë dhe jam në komunikim të rregullt me KQZ dhe strukturat përgjegjëse. KQZ aktual po paguan çmimin e sorollatjeve të politikës të reformës zgjedhore, megjithëse për realizimin e saj komisioni i reformës zgjedhore u krijua në mënyrë të paprecedentë që në hapjen e mandatit të këtij kuvendi, në të diskutimet kanë qenë të zgjatura dhe pa vendimmarrje.
Kriza politike që u krijua me largimin e partive opozitare nga kuvendi e ktheu vonesën e diskutimit për reformën zgjedhore në fakt. Reforma zgjedhore u realizua falë konsensusit në momentin e fundit dhe presionit të perëndimit në qershor të vitit të kaluar. Votimi i shtetasve jashtë vendit nuk ka asnjë problem ligjor për tu zhvilluar në zgjedhjet e 25 prillit. Arsyetimi më i fundit që vjen nga KQZ se për të realizuar të drejtën e votës të shtetasve jashtë vendit duhet të pritet konsensusi i partive politike është anti ligjor. Imagjinoni që ky standard të përdorej për ligjet që miratohen në kuvendin e Shqipërisë pa konsensusin e opozitës. Duke qenë se partitë opozitare jashtë kuvendit janë shprehur kundër sistemit të ndryshuar zgjedhor, i bie që zgjedhjet të mos realizohen.
Top Channel