Kosovë/ Zemaj: Këtë muaj mbërrijnë vaksinat anti-COVID

01/02/2021 17:49

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj u shpreh i bindur mëngjesin e së hënës se dozat e para të vaksinës anti-COVID do të mbërrijnë në Kosovë brenda këtij muaji.

Sipas tij, procesi i përgatitjes tashmë është më intensiv edhe në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare ku edhe to bëhet vaksinimi.

Zemaj deklaroi se vaksina është e siguruar për të gjithë qytetarët dhe se përgatitjet janë bërë edhe për vaksinim në masë.

“Procesi i përgatitjes për ardhjen e vaksinave ka përfunduar, që nënkupton jo vetëm me planin e imunizimit, por edhe me sigurimin e zinxhirit të ftohjes. Tash jemi në pritje të ardhjes së vaksinave. Kemi thënë që gjatë muajit shkurt ashtu siç i kemi edhe kushtet tona të brendshme dhe negocimin e marrëveshjen dhe në muajin shkurt vaksina anti-COVID do jetë në Kosovë. Ju duhet ta keni durimin, përgatitjet do fillojnë, përgatitjet tashmë janë më intensive edhe në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare sepse në zgjerimin e kapaciteteve të ardhjes së vaksinimit na parasheh një vaksinimi më të madh në masë. Shpresojmë që ata të cilët kanë premtuar dhe jemi në negocim do ta mbajnë premtimin e tyre, edhe ligjor, edhe të marrëveshjeve që vaksina të jetë e siguruar për të gjithë qytetarët e Kosovës, pasi fondin e kemi të siguruar prej 40 milionësh të siguruar nga taksat e qytetarëve”, tha Zemaj.

Partitë politike kanë nisur fushatën elektorale para kohe dhe kanë qenë në qendër të vëmendjes për shkak të mosrespektimit të masave të cilat i kishin votuar vet në Kuvendin e Kosovës duke i dhënë të drejtën përmes ligjit institucioneve kompetente që të dënojnë të gjithë personat fizik dhe juridik që nuk sillen në përputhje me masat qeveritare.

Zemaj, që edhe vet ka marrë vëmendjen për takimet me shumë persona, tha se partitë duhet të sigurohen që pjesëmarrësit nëpër tubime të jenë të pajisur me maska dhe të sigurohen dezinfektues.

“E gjitha çfarë mund të bëhet minimalisht nga subjektet politike dhe ata të cilët i ftojnë njerëzit, ata të cilët marrin pjesë së paku të jenë me maska dhe të sigurojnë maska dhe dezinfektues apo ta ruajnë edhe distancën fizike dhe kjo do ishte parandalimi minimal dhe efikas që mund të bëhej”, tha ai.

Bizneset vijojnë të kërkojnë që të lejohen të punojnë më gjatë duke i hequr orën policore, mirëpo kjo nuk duket se është në planet qeevritare.

Në lidhje me rishikimin e masave, Zemaj tha se nuk jemi në situatë ku mund të bëhet lehtësimi i tyre.

“Nuk jemi në gjendje tash të ulemi dhe të vlerësojmë që mund të ecim me ndonjë lehtësim të masës derisa e kemi këtë situatë të qetë pandemike dhe me këtë numër konstant të rritjes së infeksionit dhe me këtë stabilitet të rasteve spitalore”, tha Zemaj.

Top Channel