Pas 5 sezonesh e gjysmë me fanellën e Juventusit, Sami Khedira rikthehet sërish në Bundesligë, pasi në ditën e fundit të merkatos, ka kompletuar transferimin te skuadra e Herthës së Berlinit.
Ka qenë vetë klubi gjerman që ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes me mesfushorin 33-vjeçar turko-gjerman, i cili nuk bënte më pjesë në planet e Juventusit dhe e kaloi gjysmën e parë të këtij sezoni në tribunë.
“Klubi i Herthës së Berlinit bëri gjithçka që të më merrte dhe të më jepte shansin të luaj sërish në Bundesligë. I jam mirënjohës dhe mezi pres në nis këtë aventurë të re. Jam shumë mirë fizikisht dhe dua të ndihmoj Herthën me eksperiencën që kam fituar gjatë këtyre viteve”, tha Khedira pas transferimit.
Sami Khedira u rrit në klubin e Stuttgartit, me të cilin edhe debutoi në futbollin profesionist, ndërsa më pas u transferua te Reali i Madridit, ku luajti për 5 sezone e së fundi që prej verës së 2015-ës te italianët e Juventusit.
Mesfushori që në prill do të festojë ditëlindjen e 34-t, numëron edhe 77 ndeshje me fanellën e kombëtares gjermane, me të cilën u shpall edhe kampion bote në Brazil 2014.
Top Channel