Kosovë, pa maska e pa distancë/ Tubimet politike rrezikojnë shëndetin e qytetarëve

31/01/2021 15:50

Tubimet partiake pa maska dhe pa distancë, rrezikojnë shëndetin e qytetarëve. Ka qenë kjo thirrja e drejtorit të institutit kombëtar të shëndetit publik në Kosovë, Naser Ramadani.

Por ajo duket se ka rënë në vesh të shurdhër pasi partitë politike kanë nisur fushatën dhe po mbajnë tubime me qindra persona, shpesh në ambiente të mbyllura, pa respektuar normat anti Covid. Infektologu kosovar, Ilir Tolaj, thotë se kjo përbën një rrezik të madh për shtimin e të prekurve me Covid 19 dhe pasojat e tyre do të shihen vetëm pas pak javësh.

Çdo grumbullim i njerëzve pa respektuar masat mbrojtëse dhe në tubimet që zgjasin më shumë se gjysmë ore po them, me siguri që janë rrezik potencial që me u përcjell infeksion në mesin e atyre njerëzve. Prandaj, mos respektimi këtyre masave pas vetës sjell një rrezik të shtimit të numrit të këtyre rasteve….”, thotë  Tolaj.

Tubime të tilla elektorale, që po organizohen nga të gjitha partitë politike në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit, vlerësohen nga shumëkush si papërgjegjshmëri politike. Në këtë mënyrë, tentativa për të përfituar sa më shumë vota, po çon në rrezikim të shëndetit të qytetarëve. Kosova është prekur tashmë edhe nga varianti britanik i koronavirusit, me tre raste të konfirmuara deri më tani. Ndërsa rastet ditore të infektimit me koronavirus, janë me qindra dhe nuk mungojnë po ashtu çdo ditë edhe viktimat.

Top Channel