Dhunuan dy të rinj, pezullohen 3 efektivë të policisë në Kosovë

31/01/2021 11:32

Publikimi i pamjeve ku shpërfaqet dhuna e tre efektivëve të Policisë së Kosovës ndaj dy të rinjve më 25 janar në Prishtinë, ka nxitur Inspektoratin Policor të Kosovës t’i pezullojë tre zyrtarët policorë që dyshohet se u përfshinë në këtë keqtrajtim.

Tre efektivët janë: Dren Jahaj, Milot Kelani dhe Valon Braha

Ata janë pezulluar nën dyshimin se kishin keqtrajtuar dy të rinj në qendër të Prishtinës, dhunë kjo që vazhdoi edhe brenda objektit të stacionit policor.

Ndërkohë që pjesëtari i Njësisë së Reagimit të Shpejtë në stacionin policor “Qendra” në Prishtinë H.K, është arrestuar mbrëmë për së dyti herë.

Në një video të publikuar në rrjete sociale, polici shfaqet duke keqtrajtuar një 18-vjeçar në 2018.

Keqtrajtimi i të riut është bërë në praninë e zyrtarëve tjerë policorë.

Njoftimi i plotë:

Pas arrestimit të një zyrtari policor më 28 janar 2021 me dyshimin për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, në medie ishte publikuar edhe një video tjetër.

Bazuar në pamjet e kësaj videoje dyshohej për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga disa zyrtarë policorë në Prishtinë.

Rasti ishte iniciuar në IPK dhe hetuesit në konsultim me prokurorin kujdestar janë angazhuar duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore lidhur me këtë rast.

Pas disa veprimeve hetimore në konsultim me prokurorinë kompetente, hetuesit e IPK-së kanë identifikuar zyrtarët policorë të cilët ishin të përfshirë në këtë rast (punonjës në Drejtorinë Rajonale në Prishtinë) .

Inspektorati Policor i Kosovës ka dhënë rekomandimin për suspendim të këtyre tre zyrtarëve policorë përderisa hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorin kompetent do të ndërmarrin edhe veprime tjera hetimore ditëve në vijim për të sqaruar rrethanat e këtij rasti.

Top Channel