Liverpool kërkon Shkodran Mustafin, ekipi anglez është në krizë për mbrojtës

30/01/2021 12:55

Liverpool këtë sezon po përjeton një krizë në repartin e mbrojtjet.

Virgil Van Dijk, Joe Gomez dhe Joel Matip janë të dëmtuar duke bërë që skuadra e Jurgen Klopp të jetë pa qendërmbrojtës në këtë moment dhe të kërkojë përforcime për këtë pozicion. Vetë trajneri i kampionëve të Anglisë ka konfirmuar se skuadra e tij do të kërkojë të sjellë në Anfield një qendërmbrojtës.

Problemi për Liverpool është se merkatoja e transferimeve të këtij muaji është në ditët e fundit të tij dhe opsionet e vlefshme në këtë aspekt janë të pakta. Në këtë pikë, Liverpool duke qenë si i ka të limituara zgjedhjet e tij, po mendon të sjellë në Anfield, Shkodran Mustafin. Lajmi publikohet nga The Telegraph dhe Sunday World sipas të cilëve, klubi nuk e përjashton blerjen e mbrojtësit.

Shkodran Mustafi që ka luajtur 20 ndeshje me përfaqësuesen gjermane, nuk po gjen hapësira te Arsenali i Mikel Artetas dhe këtë sezon ka luajtur vetëm 45 minuta në Premier League me Topcinjtë e Londrës. Kjo situatë mund të përbëjë një mundësi për Liverpool që ta marrë atë me një çmim të ulët duke qenë se mbrojtësit i përfundon edhe kontrata në qershorin e këtij viti

Ndërsa ‘Daily Mail’ thekson se Arsenal po shpreson që Mustafi të mbyllë kontratën dhe kjo do të thotë se futbollisti largohet nga Londra me parametra zero gjatë muajve të verës. Që nga momenti i mbërritjes te Arsenali, Mustafi nuk ka bërë shumë përshtypje, por Klopp mund të jetë në gjendje që të marrë më të mirën prej tij. Me problemet në mbrojtje të Liverpoolit, marrja e Mustafit mund të rezultojë një lëvizje e mirë nga ana e The Reds.

Top Channel