Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme për të mos lejuar Albin Kurtin që të kandidojë në zgjedhjet e 14 Shkurtit.

Pavarësisht kësaj, LVV shprehet me bindje se lista me 110 kandidatë do të garojë në referendumin e 14 shkurtit.

Postimi i plotë: E pamë vendimin e fundit të Gjykatës Supreme. Ky vendim i kundërvihej aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Zgjedhjet do të mbahen më 14 shkurt, ndonëse ka përpjekje për pamundësimin e tyre. Ankesa në Gjykatën Kushtetuese do t’u jepte shpresë këtyre përpjekjeve. Lista jonë me 110 kandidatë garon në referendumin e 14 shkurtit. Vazhdojmë me aktivitetet tona drejt fitores plebishitare.

Kujtojmë se, Gjykata Supreme ka pranuar pesë ankesa nga subjektet politike të ushtruara kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), të cilat janë ndarë me short dhe janë shqyrtuar nga kolegjet gjyqësore brenda afateve ligjore.

Gjykata Supreme ka dhënë vendimin e saj gjatë së premtes bazuar në ankesën e kësaj partie mbi vendimin e PZAP-së, në të cilin thuhet se Kurti bashkë me Albulena Haxhiun dhe Bajram Mavriqin nuk mund të certifikohen për t’i hyrë garës zgjedhore pasi ndaj tyre dënimi i formës së prerë ende nuk i ka kaluar tre vjet.

Top Channel