Në Wake Up në Top Channel ishte i ftuar zv-ministri i Shëndetësisë, dr Ilir Hasani i cili foli për situatën e pandemisë në shtetin fqinj. Ai u ndal edhe tek rasti i mutacionit britanik të Covid-19 që tashmë është zyrtarisht edhe në Maqedonin e Veriut.

Hasani tha se për ta kjo është një rast dhe moment shumë shqetësues por deri në këto momente nuk ka asnjë ndryshim kurbën e infektimeve.

“Një rast mjaft shqetësues, është moment shumë shqetësues si për të gjithë vendet e tjera. E identifikuam në një laburator. Aktualisht nuk kemi parë ndonjë një ndryshim në numrat e rasteve por duke pasur parasysh që është më i transmetueshëm, duhet të jemi të përgatitur për një rritje të lakores së rasteve.

Situata epidemiologjike në Maqedoninë e Veriut është stabile aktualisht. Shpresojmë të mbetet kështu. Vendimet për lëvizjen dhe izolimin janë marrë në bazë të situatës epidemiologjike dhe jo vetëm prej raportimeve për mutacionin e ri të Covid-19”- tha dr Ilir Hasani.

Varianti britanik i Covid-19 është përhapur në më shumë se 70 vende të botës. Sipas shkencëtarëve ai është më i transmetueshëm se variati klasik i Covid-19, ndërkohë që kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson në një deklaratë për mediat tha se ky variant përveçse është më i transmetueshëm ka edhe vdekshmëri të lartë.

Top Channel