GameStop është një shitës video-lojërash, emri i të cilës mund të mos jetë i njohur për shumëkënd, por ajo është vendosur në fokusin e Wall Street-it, që kur vlera e aksioneve të saj u rrit me mijëra përqind kohët e fundit dhe kjo falë këmbyesve amatorë në Reddit.
Kur mendon për bursat tradicionale, investitorët blejnë aksione në ato kompani që duket se po ecin mirë. Për shembull, konsumatorët e Apple do të vazhdojnë të blejnë iPhone ose në 2021, kompanitë që prodhojnë maska mbrojtëse, shkojnë mirë. Por mund të ndodhë edhe e kundërta. Nëse investitorët mendojnë se një kompani është në rënie dhe aksionet e saj janë të mbivlerësuara, ata mund të vënë bast kundër saj për të bërë para.
Pikërisht këtu hyn në lojë GameStop. Kjo kompani që ka dyqanet e saj në SHBA i lejon njerëzve të marrin me qira apo të blejnë video lojëra. Gjatë pandemisë, dhe më parë, kjo industri është zhvendosur shumë online. Shumë investitorë mendonin se modeli i biznesit të GameStop ishte i vjetëruar ndaj ata vunë bast kundër saj. Ata prisnin të shihnin që aksionet e Gamestop të binin, por e kundërta ndodhi. Disa vlerësime thonë këtë javë se vlera e këtyre aksioneve është rritur në 700 për qind. Në platformën e medias sociale Reddit, përdoruesit janë bërë bashkë duke inkurajuar njëri tjetrin të blejnë aksione të GameStop dhe kanë bërë që vlera e tyre të rritet. Ata thonë se po e bëjnë këtë për të luftuar kundër sistemit:se ata thjeshtë po marrin pjesë në një lloj manipulimi të tregut që fondet e investimit e kanë bërë gjithnjë.
Vetë GameStop nuk është bërë domosdoshmërisht një kompani shërbimet e të cilës janë më të kërkuara, por përdoruesit në Reddit, me gjasë, janë bërë më të pasur duke blerë aksionet për shifra të vogla para se ti shisnin ato për pesë apo gjashtë herë më shumë. Momentalisht, aksionet e Gamestop kanë rënë po aq shpejt sa u rritën, por ama bursa u shkund nga një forum i vetëm në Reddit dhe pasojat afatgjata të kësaj që ka ndodhur, mbetet të shihen
Top Channel