Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka zhvilluar një takim me banorët e njësisë 5, ku ka folur për idetë e reja që ka sjellë, për të cilat thotë se nuk i kushtojnë buxhetit të shtetit por sjellin para në xhepat e shqiptarëve.
Ndër të tjera, Kryemadhi u shpreh se të rinjtë janë kthyer në thumbues të programit për të cliruar ekonominë shqiptare.
Monika Kryemadhi: LSI solli 5 ide të reja. Pesë ide të reja shumë të thjeshta. Nuk kanë absolutisht asnjë lloj impakti në buxhet, pra nuk i kushtojnë buxhetit të shtetit, nuk i kushtojnë xhepave të shqiptarëve. Përkundrazi, shtojnë para në xhepin e shqiptarëve, shtojnë para në buxhetin e shtetit, çlirojnë ekonominë shqiptare, krijojnë hapësira investime, e bëjnë vetë shtetin shqiptar dhe politikën për të pasur një vizion. Dhe kjo lloj ndjesie pozitive dhe komoditeti që më kanë dhënë, më krijoi një lloj besimi për ta vazhduar, për ta implementuar dhe për të vazhduar për të folur me njerëzit për programin.
Vajzat e reja, djemtë e rinj dhe ekonomistët me një vizion të qartë, jo vetëm që e kanë përfaqësuar, por janë kthyer në trumbetues të programit. Zoti Vasili më nisi një mesazh mbrëmë në darkë për djemtë e Chicagos, të viteve ’70, që sollën një riformatim total të sistemit të pensioneve në Kili, që edhe sot e kësaj dite e kopjojnë shtetet më të zhvilluara.
Ajo që është shumë e rëndësishme sot, është pozitiviteti dhe përthithja që po ndodh çdo ditë e më shumë nga brezi i ri dhe nga ai kontingjent njerëzish që janë të shkolluar dhe po shikojnë një dritë shprese. Unë jam shumë e kënaqur sepse sot ndërkohë që isha me punonjës të bankave të nivelit të dytë, apo edhe biznesmenë, njerëz të shkolluar për ekonomi, thanë që ne e kishim bërë në plan të largoheshim nga Shqipëria, por nëse ti na garanton që këto gjëra do të realizohen, këto janë gjëra të jashtëzakonshme, sepse nuk ka rëndësi të bësh gjëra të mëdha, apo shpenzime shumë të mëdha. Më tha një vajzë që punonte në një kompani franceze që gjëja më e mirë për fondin nga bebja në bebe, është më mirë të investohet për fëmijët e shqiptarëve që të kenë të ardhme, apo të investohet për kolltukët e qeveritarëve dhe për zyrat e tyre. Kështu që ajo çfarë ju kërkoni të bëni për fëmijët e shqiptarëve, që të mos ikin nga Shqipëria më tha, por të rrinë dhe të ndërtojnë familjet këtu është gjëja më e vogël që mund të bëjë një klasë politike apo një Parlament.
Ndër të tjera, Kryemadhi theksoi se cilat janë 5 prioritetet e LSI-së në 5 muajt e para dhe u shpreh e bindur se LSI u qëndron premtimeve dhe angazhimeve.
Monika Kryemadhi: Unë ju falenderoj shumë për këtë takim dhe këtu jemi mu në zemrën e zemrës së Tiranës, tek Komuna e Parisit. Kjo nuk do të thotë që lali Eri do çojë policinë për taksat. Sepse ai ka mësuar një ves që i çojnë këto fotografitë tona dhe pastaj fillojnë bëjnë sulme. Të vetat i heqin, por mbajnë tonat. Por vetëm i motivojnë njerëzit tanë, na motivojnë ne më shumë për të biseduar me njerëzit dhe për t’i sqaruar ata.
Ne kemi programin tonë që është shumë i thjeshtë. 5 prioritete në 5 muaj e parë. Njëri ka të bëjë me rimbursimin e shpenzimeve, 5% e rimbursimit të faturës së shpenzimeve, të asaj fature tatimore që rimbursohet drejtpërdrejtë. Është shumë e kollajshme për t’u realizuar. Koston e ka zero, mjafton vetëm të bëhet unifikimi se rakordimi i kartës së identitetit me gjendjen civile, me sistemin bankar, me zyrën e tatimeve. Ky lloj komunikimi është shumë i kollajshëm për të administruar të gjithë mbledhjen dhe formalizimin e informalitetit, ku 50% e GDP-së është informale dhe në vend që këto para të shkojnë në buxhetin e shtetit, që të investohen në pensione, në infrastrukturë, në shërbime, shkojnë në xhepat e 3-4 vetave, që ne e dimë shumë mirë sesi funksionojnë.
Ndërkohë nga ana tjetër kemi taksën e të ardhmes 1%, që vendoset mbi kompanitë VIP, që janë aktualisht 800 kompani, që do të ketë një impakt të jashtëzakonshëm, ku kjo e ardhur nuk do të shkojë dhe të humbë në zërat e buxhetit për të mbuluar shpenzimet administrative të ministrive të fryra, të një administrate të fryrë që nuk funksionon dhe nuk jep asgjë, por do të shkojë drejtpërdrejtë tek arsimi, për të rritur cilësinë e studentëve, për të krijuar hapësira, sepse edhe vetë këto kompani të mëdha kanë nevojë për profesionistë, të rritur profesionalisht dhe të aftë.
Kemi edhe “Nga bebja në bebe”, që shumë veta kanë qenë skeptikë, por çdo ditë në telefonin tim vijnë mesazhe pafund. Edhe qeveria norvegjeze që hyn tek vendet më të pasura e ka fondin nga bebja në bebe, për të mbajtur të rinjtë në Norvegji, sepse ata largohen nga Norvegjia për shkak të klimës. Por përveç kësaj edhe për të krijuar mundësinë për të shtuar lindjen e fëmijëve. Ne kemi qenë një nga popujt më të rinj në Ballkan dhe në Europë, por sot po rritet mosha mesatare me ritme shumë të shpejta. Për herë të parë kemi vdekshmërinë më të lartë se sa lindshmëria, gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e kombit shqiptar.
Prandaj ky investim kaq modest për t’i krijuar për të ardhmen fëmijëve të shqiptarëve, që pas 25 viteve ata të kenë mundësi për të pasur një buxhet për të investuar , është gjëja më e pakët që një klasë politike mund të bëjë për të ardhmen e vendit të saj. Ne me Klajdën ishim sot në një takim me ambasadorë ku diskutuam edhe për programin, edhe për situatën, edhe për Covidin. Një nga gjërat që e karakterizon LSI-në është sinqeriteti. Nganjëherë sinqeritetin na e quajnë pikë të dobët, por kjo ka qenë arma jonë më e fortë, sepse na ka bërë të vërtetë me njerëzit, na ka bërë realistë, të prekshëm për njerëzit. Dhe ky sinqeritet na ka bërë ne që të mbajmë fjalën. Ne e mbajmë fjalën, ne u qëndrojmë premtimeve dhe angazhimeve tona, sepse në fund të fundit kjo na bën edhe më të vërtetë.
Top Channel