Meta kthen në Kuvend për rishqyrtim ligjin “Për prokurimin publik”, arsyet

29/01/2021 15:23
Presidenti Ilir Meta

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar kthimin në Kuvend për rishqyrtim të ligjit nr. 162/2020 “Për prokurimin publik”,

Në arsyet e kthimit të ligjit Meta arsyeton se në dispozita të caktuara të këtij ligji, evidentuar në vijim të këtij arsyetimi, bien në kundërshtim me parimet dhe dispozitat kushtetuese që mbrojnë sigurinë juridike, lirinë ekonomike, barazinë para ligjit, si dhe me nevojën për eficiencë në planifikimin e përdorimin e fondeve buxhetore përmes prokurimeve publike.

ARSYET E KTHIMIT

TË LIGJIT NR. 162/2020 “PËR PROKURIMIN PUBLIK”

Të nderuar deputetë,

Kuvendi i Shqipërisë në seancën plenare të datës 23.12.2020, ka miratuar ligjin nr. 162/2020 “Për prokurimin publik”.

Ky ligj me shkresën me nr. 77 prot., datë 08.01.2021 të Kuvendit, i është përcjellë Presidentit të Republikës për dekretim dhe shpallje. Kjo praktikë është administruar në Institucionin e Presidentit të Republikës me nr. 53 prot., datë 08.01.2021.

Nga shqyrtimi i praktikës parlamentare të propozimit, shqyrtimit dhe miratimit të këtij ligji, është arsyetuar se, ky ligj ka si qëllim përmirësimin e kuadrit rregullator të prokurimit publik në Shqipëri.

Projektligji është vlerësuar si nevojë për shkak të rekomandimeve nga organizmat e ndryshëm ndërkombëtarë, si: Komisioni Evropian, Banka Botërore, OECD/SIGMA, apo dhe rekomandimeve të lëna nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, që kanë ardhur si rezultat i adresimit për zgjidhje të problematikave të ndryshme të hasura në praktikë gjatë procesit të prokurimit apo edhe kërkesave për ndryshime nga institucione të ndryshme. Sipas praktikës parlamentare, përmes këtij projektligjit synohet përmbushja e objektivave të tilla si:

– Përafrimi i legjislacionit shqiptar me acquis e BE-së, nëpërmjet transpozimit ose adaptimit të direktivave specifike, të cilat mbulojnë procedurat e prokurimit në sektorin klasik, sektoral dhe direktivave të rishikimit administrativ;
– Përmirësimi i kuadrit aktual rregullator;
– Lehtësimi i pjesëmarrjes së operatorëve ekonomikë në procedurat e prokurimit;
– Shmangia e zvarritjes së procesit të prokurimit, për shkak të tejzgjatjes së procesit të ankimit administrativ;
– Respektimi i parimeve për mbrojtjen sociale dhe mjedisore;
– Lehtësi në prokurimin e shërbimeve sociale dhe shërbimeve të tjera specifike;
– Rritje e performancës në implementimin e kontratave, nëpërmjet forcimit të monitorimit të këtij procesi.

Ligji është nismë e Këshillit të Ministrave dhe është shqyrtuar në Kuvendin e Shqipërisë, në Komisionin për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në cilësinë e komisionit përgjegjës, si dhe në Komisionin për Ekonominë dhe Financat dhe Komisionin për Integrimin Evropian, në cilësinë e komisioneve për dhënien e mendimit.
Presidenti i Republikës shqyrtoi ligjin nr. 162/2020, duke iu referuar përmbajtjes së aktit të dërguar për dekretim dhe shpallje dhe praktikës parlamentare të ndjekur për këtë qëllim, duke vlerësuar përputhshmërinë e këtij ligji me parimet dhe parashikimet e Kushtetutës së Shqipërisë, legjislacionin aktual në fuqi, si dhe ruajtjes së interesit dhe pasurisë publike.

Para së gjithash, Presidenti i Republikës e vlerëson si pozitive çdo nisëm legjislative me qëllim përsosjen në vijimësi të sistemit të prokurimit publik shqiptar në mënyrë që ai, të ofrojë të gjitha garancitë sipas standardeve ndërkombëtare, me qëllim që përdorimi i fondeve publike të bëhet në mënyrë sa më eficiente, në funksion të interesit publik dhe ruajtjes së financave të vendit, por nga ana tjetër të evidentojë dhe të vendosë përpara përgjegjësisë të gjitha strukturat apo autoritetet publike që shpërdorojnë besimin publik që i është dhënë.

Nisma legjislative për një ligj të ri për prokurimin publik, është e mirëpritur pasi dispozita të caktuara të ligjit sjellin përmirësim të kësaj fushe, por nga tjetër, nga shqyrtimi tërësor i ligjit, rezulton se disa nene të ligjit të miratuar paraqesin mangësi të theksuara sa i takon, e veçanërisht sa i takon përcaktimit të qartë e në mënyrë shteruese të:

– përmbushjes së parimit të transparencës përgjatë fazave të caktuara të një procedure prokurimi;
– mjeteve të ankimit administrative;

përmes rregullimeve që nuk çojnë, siç synohet, në lehtësimin e pjesëmarrjes së operatorëve ekonomikë në procedurat e prokurimit, dhe që mund të sjellin zvarritje të procedurave të prokurimit me rrisk të lartë për dëmtimin e interesave të shtetit.

Mangësitë e konstatuara në formulimin e disa dispozitave krijojnë hapësira që jo vetëm të shmangen procedurat e hapura për prokurimet publike, por edhe që dëmtojnë konkurrencën e lirë të operatorëve ekonomikë, mbrojtjen e interesave të tyre në një procedurë prokurimi gjatë ushtrimit të së drejtës së ankimit.

Në përfundim të shqyrtimit të këtij ligji, arrihet në konkluzionin se, dispozita të caktuara të këtij ligji, evidentuar në vijim të këtij arsyetimi, bien në kundërshtim me parimet dhe dispozitat kushtetuese që mbrojnë sigurinë juridike, lirinë ekonomike, barazinë para ligjit, si dhe me nevojën për eficiencë në planifikimin e përdorimin e fondeve buxhetore përmes prokurimeve publike.

Arsyet e plota

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA