Antonio Conte ka dy javë që betohet se te Interi nuk do të ketë asnjë lëvizje në merkaton e janarit, por së fundi po flitet gjithmonë e më shumë për një shkëmbim me Romën, mes sulmuesve Edin Dzeko dhe Alexis Sanchez.

Boshnjaku nuk bën më pjesë në planet e trajnerit Paulo Fonseca, që e ka lënë të stërvitet i vetëm, ndërsa pasditen e sotme në Milano pati edhe një takim mes drejtorëve sportivë, Pinto i Romës dhe Ausilio i Interit.

Paga bruto që Interi shpenzon për Alexis Sanchez është rreth 4 milionë euro më e ulët sesa ajo që do të duhet të paguajë për Dzekon, ndaj kushti i zikaltërve në këtë operacion është që diferenca të mbulohet nga Roma, ndërsa operacioni mund të mbyllet vetëm në orët e fundit të merkatos.

E ndonëse pa para për të afruar futbollistë të tjerë, dyshja Ausilio-Marotta janë përqendruar te puna me rinovimet dhe sot kanë pasur një tjetër takim me menaxherët e Lautaro Martinez, i cili pritet që shumë shpejt të firmosë kontratën e re me kohëzgjatje deri në verën e 2024-ës dhe me pagë rreth 5 milionë euro në sezon.

Po sot në zyrat e klubit zikaltër ishte edhe Tuglio Tinti, menaxheri i futbollistëve si Alessandro Bastoni e Andrea Ranocchia. Tinti u ka bërë të qartë drejtuesve të Interit se ka oferta nga Parma e Torino për Ranocchian, ndërsa palët kanë folur edhe për rinovimin e Bastonit, që gjithashtu është një titullar i padiskutueshëm dhe fiton një pagë qesharake.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA