Vuçiç provokon sërish, thirrje ushtrisë: I dini problemet me Kosovën

28/01/2021 21:57

Takimi që presidenti serb Aleksandar Vuçiç zhvilloi me përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes dhe ushtrisë serbe, nuk kaloi pa provokime.

Vucic deklaroi se do të ketë investime të mëtejshme në ushtrinë e vendit dhe sistemin e mbrojtjes, si dhe rritje të konsiderueshme të të ardhurave për anëtarët e ushtrisë gjatë këtij viti.

“Ju e dini se çfarë problemesh kemi në Kosovë, ne gjithashtu kemi probleme të tjera rajonale, së bashku me problemet e llojit të tretë, të cilat kanë të bëjnë me mosmarrëveshjet gjeopolitike të fuqive të mëdha  ku ne shpesh jemi vendi rreth të cilit interesat e tyre përplasen,”- ishte komenti i kreut të shtetit serb që shoqërohej nga ministri i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviç dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Milan Mojsiloviç.

Në muajin nëntor, Vucic ngjalli reagime të ashpra kur e krahasoi ngërcin e Kosovës me atë të Nagorni Karabakut, e duke iu referuar luftimeve mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, u përpoq të tregonte sesi edhe “nga një konflikt i ngrirë prej 30 vjetësh mund të shpërthejë lufta”.

Top Channel