Në Mal të Zi ka fituar një parti proserbe, por raportet mes Beogradit dhe Podgoricës ende nuk janë përmirësuar. Përse ndodh kjo?
Marrëdhëniet Serbi-Mali i Zi vazhdojnë të rëndohen nga konflikte të shumta diplomatike dhe politike. Nga njëra anë, tingëllon e pabesueshme që këto dy vende vëllazërore dhe miqësore kanë arritur një nivel të tillë të marrëdhënieve. Por është e qartë se asnjëra palë nuk mund të mohojë gabimet e bëra në të kaluarën, që kanë shkaktuar tensione të shumta dhe keqkuptime. Pas ndryshimit të qeverisë në Mal të Zi, si Beogradi ashtu edhe Podgorica pohonin se do të përmirësojnë raportet shumë shpejt, por kjo deri tani kjo nuk ka ndodhur.
Problemi i vendimit të ish-autoriteteve malazeze për të dëbuar ambasadorin serb nga Mali i Zi, Vladimir Bozhoviq, i cili është konfirmuar praktikisht edhe nga qeveria e re, u shfaq si një pengesë themelore në raportet mes Beogradit dhe Podgoricës. Beogradi zyrtar nuk u kundërpërgjigj me të njëjtën masë diplomatike, duke shpresuar se vendimi do të tërhiqej. Por kjo nuk ndodhi. Tani të dy palët janë të mendimit se problemet duhet të tejkalohen, por asnjëra nuk ka dhënë ndonjë propozim konkret se si të tejkalohen ato.
Kjo është pikërisht arsyeja pse vizitat e reciproke të kryeministrave të të dy vendeve, Ana Brnabiq dhe Zdravko Krivokapiq ende nuk janë ndërmarrë. Këto ditë ata kanë shkëmbyer akuza diplomatike përmes mediave. Pala malazeze pretendon se Ana Brnabiq nuk i është përgjigjur ftesës për të vizituar Malin e Zi për më shumë se një muaj. Ndërsa Brnabiq thotë, se “është e papërshtatshme të vizitosh një vend nga i cili është dëbuar ambasadori i vendit tuaj duke u shpallur person “non grata”.
Mosmarrëveshjet diplomatike
Kjo grindje diplomatike në shikim të parë nuk duket e pazgjidhshme, sepse Beogradi beson se vendimi mund të tërhiqet lehtë. Por qeveria e re malazeze ka ende një problem të madh me të cilin po ndeshet në çdo hap, e ai është presidenti aktual i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq. Analisti politik Dragomir Angjelkoviq i tha Deutsche Welle-s se ai “beson që ambasadori i vjetër duhet të qëndrojë në Malin e Zi, sepse ky është një akt i qëllimshëm politik i ish-qeverisë, që ka për synim prishjen e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Podgoricës”.
Serbia duhet të ketë më shumë durim, për arsyen e thjeshtë se autoritetet e reja në Mal të Zi, pavarësisht dëshirës së tyre, nuk duan të lënë përshtypjen se po punojnë në përputhje me direktivat e Beogradit. “Perëndimi ka hequr dorë nga Gjukanoviqi, por në të njëjtën kohë, nuk dëshiron lidhje tepër të ngushta midis Beogradit dhe Podgoricës”, thotë Angjelkoviq.
Gjendja në Mal të Zi
Niveli jo i kënaqshëm i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Malit të Zi është kryesisht një pasojë e marrëdhënieve të trashëguara nga autoritetet e mëparshme, thotë për DW Ivo Çoloviq, drejtor i CESID. “Unë kam përshtypjen se Beogradi, duke vendosur të mos bëjë të njëjtin gjest ndaj ambasadorit të Malit të Zi Tarzan Millosheviq në Serbi, priti që Mali i Zi të tërheqë vendimin për dëbimin e ambasadorit serb. Mua më duket se kjo nuk ndodhi për shkak të ristrukturimit në skenën e brendshme të Malit të Zi.”
Dragomir Angjelkoviq mendon se Serbia pret që problemi i ambasadorit të zgjidhet përpara disa vizitave diplomatike. Ai mendon se “nuk është logjike që kryeministrja e Serbisë të vizitojë e para Malin e Zi, sepse këtu bëhet fjalë për një skandal mjaft të madh diplomatik”. Angjelkoviq thotë se nuk ka asnjë rast në praktikat ndërkombëtare që të ketë një vizitë të nivelit më të lartë shtetëror në një vend prej nga është dëbuar ambasadori.
Zemërimi i Beogradit
Edhe Ivo Çoloviq e sheh qëndrimin e prerë të autoriteteve serbe “si një lloj revolte në Beograd”. Pas njoftimit të rezultateve të zgjedhjeve, Zdravko Krivokapiq u përpoq të distancohej në një farë mënyre nga fakti që Beogradi dhe Kisha ortodokse serbe kanë meritë për fitoren e tij në zgjedhje. Çoloviq mendon se ky lloj distancimi i Krivokapiqit ka shkaktuar zemërim në Beograd.
Rivendosja e marrëdhënieve midis dy vendeve duhet të marrë parasysh faktin “se ish-qeveria e Malit të Zi ka bërë një diskriminim të paparë kundër serbëve në Mali të Zi”, thotë Dragomir Angjelkoviq. “Qeveria e re duhet ta ndryshojë këtë, jo vetëm për shkak të marrëdhënieve me Serbinë, por edhe për shkak të stabilitetit të Malit të Zi. Ndryshe Mali i Zi do të ketë një shoqëri skizofrenike të ndarë”, paralajmëron Angjelkoviq.
Deklaratat e presidentit malazez Milo Gjukanoviq në kongresin e partisë së tij dhe fjalët mjaft të ashpra kundër Serbisë dhe Kishës ortodokse serbe, të cilat Gjukanoviqi i sheh “si nxitës dhe mbrojtës të gjenocidit më monstruoz në Evropën moderne”, vetëm sa i ndërlikuan marrëdhëniet midis dy shteteve. Beogradi nuk e mirëpriti retorikën e tillë, e cila në Serbi vlerësohet si një “politikë e dështuar e urrejtjes dhe ndarjes”. E kësaj duhet t’i shtohen deklaratat e Zdravko Krivokapiqit, se Milo Gjukanoviq dhe Aleksandar Vuçiq janë partnerë shumë të afërt në biznes dhe politikë, që flet për tërë ndërlikimin e raporteve midis Serbisë dhe Malit të Zi.
„Milo Gjukanoviq me siguri që nuk do të përpiqet që t’ua lehtësojë punën autoriteteve të reja në Mal të Zi, për të vendosur marrëdhënie të mira bilaterale me Serbinë”, mendon Çoloviq. Ai pohon se në Mal të Zi do të ketë edhe deklarata të tjera të ngjashme, të cilat do ta ndërlikojnë edhe më shumë mundësinë e përmirësimit të marrëdhënieve midis dy vendeve.
Edhe Angjelkoviq mendon se Gjukanoviqi do të vazhdojë me deklarata të tilla. Megjithatë ai shpreson se qeveria e re do të vendosë një sistem të ri, ku akush nuk do të jetë i diskriminuar, ku secili mund të shprehë lirshëm mendimin e vet dhe të punojë në vendin që e meriton./DW/
Top Channel