Shtëpia e Bardhë: SHBA me qasje të re ndaj Kinës

27/01/2021 04:28

Shtëpia e Bardhë thotë se Uashingtoni po tregohet i matur ndërsa përpiqet për një “qasje të re” ndaj marrëdhënieve me Kinën në një kohë kur të dyja vendet janë në një “konkurrencë strategjike” serioze.

“Ajo që kemi parë gjatë viteve të fundit është se Kina po bëhet gjithnjë e më autoritare brenda vendit dhe më e ashpër jashtë vendit dhe Pekini tani po sfidon sigurinë, mirëqenien dhe vlerat tona në mënyra domethënëse, që kërkojnë një qasje të re nga Shtetet e Bashkuara”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki gjatë një konferencë për shtyp të hënën.

Disa orë më herët, Presidenti kinez Xi Jinping foli përmes videos në Forumin Ekonomik Botëror ku ai u kërkoi vendeve të bashkëpunojnë për ndryshimin e klimës dhe shëndetin publik – dhe paralajmëroi kundër një konflikti mes Uashingtonit dhe Pekinit pa përmendur me emër Shtetet e Bashkuara. Presidenti Xi tha se frenimi i koronavirusit është detyra më e ngutshme për komunitetin ndërkombëtar.

Mesazhi i Pekinit vjen ndërsa ekipi i politikës së jashtme të Presidentit amerikan Joe Biden përgatitet të mobilizojë aleatët për të përballuar sfida të ngutshme, duke filluar nga ruajtja e demokracisë deri tek shkallëzimi i rivalitetit me Kinën dhe shtetet e tjera autoritare. “Një botë e ndarë nuk mund të trajtojë sfidat e përbashkëta me të cilat përballet njerëzimi dhe përplasja do ta çojë njerëzimin në një rrugë pa krye”, tha zoti Xi gjatë një fjalimi virtual në Forumin Ekonomik Botëror.

Marrëdhëniet midis dy ekonomive kryesore në botë janë në pikën më të ulët prej dekadash, për shkak të përplasjeve për tregtinë, teknologjinë 5G, të drejtat e njeriut dhe sigurinë rajonale. Uashingtoni akuzon Pekinin për një përpjekje shumëvjeçare për të vjedhur pronën intelektuale dhe përfshirje në spiunazh industrial. Të martën e kaluar, Sekretari i Shtetit i administratës së kaluar, Mike Pompeo deklaroi se Partia Komuniste Kineze është angazhuar në gjenocid kundër popullsisë myslimane ujgure. Ky përcaktim mund të sjellë si rezultat masa dhe sanksione të reja.

Ambasada kineze në Shtetet e Bashkuara tha në një deklaratë gjatë fundjavës tha se Pekini shpreson që Uashingtoni të “ketë një frymë kundër konfliktit dhe konfrontimit dhe në favor të respektit të ndërsjellë e bashkëpunimit të frytshëm”.

Ky apel ka të ngjarë të pritet me skepticizëm nga administrata e zotit Biden, e cila është shprehur hapur se si i shikon synimet e Kinës. “Ne jemi në një konkurrencë serioze me Kinën,” tha zëdhënësja Psaki të hënën. “Kina është e angazhuar në politika që dëmtojnë punëtorët amerikanë, frenon avantazhin tonë teknologjik dhe kërcënon aleancat tona dhe ndikimin tonë në organizatat ndërkombëtare.”/VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA