“Shkrijnë akujt” Shba-Gjermani/ Merkel bisedon me Biden, e fton që të vizitojë Berlinin

27/01/2021 02:02

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel e ka ftuar Presidentin amerikan, Joe Biden për një vizitë në Gjermani, sapo këtë ta lejojë situata e pandemisë. Ftesën e bëri të ditur zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert, pas një telefonate të kancelares gjermane me Presidentin e ri të SHBA.

Sipas qeverisë gjermane, Merkel i bëri të ditur Bidenit se Gjermania është e gatshme të përballet me detyrat ndërkombëtare e të marrë përsipër përgjegjësi, së bashku me partnerët evropianë dhe transatlantikë. Tema të tjera të bisedës u fokusuan në politikën e jashtme, kryesisht në gjendjen në Afganistan dhe në Iran, si dhe në politikën tregtare dhe ndaj klimës.

Merkel përshëndeti edhe vendimin që SHBA do të kthehen në Marrëveshjen e Klimës së Parisit. Partneritetin transatlantik Presidenti Biden e quajti “gur themeli i sigurisë sonë kolektive dhe vlerave të përbashkëta demokratike”. Merkel dhe Biden ranë dakord më tej që të bashkëpunojnë për prioritete të përbashkëta të politikës së jashtme, si Afganistani, Kina, Irani, Rusia, Ukraina dhe Ballkanin Perëndimor.

Vëzhguesve në mediat gjermane u tërheq vëmendjen fakti që telefonata e Presidentit Biden me kancelaren Merkel u zhvillua pasi ai kishte telefonuar të shtunën me kryeministrin britanik, Boris Johnson dhe të dielën me Presidentin francez, Emmanuel Macron.

I pyetur se a duhet parë si shenjë jo pozitive për marrëdhëniet dypalëshe kjo radhë telefonatash, ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas u shpreh: “Mund ta shikojmë si të tillë, por nuk jemi të detyruar ta shohim keshtu. Këtu unë kam shumë besim se ndodhemi para shansesh të mëdha dhe se varet nga ne, se çfarë do të bëjmë me to.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA