Drejtoresha e imunizimit dhe vaksinave në Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Dr. Katherine O’Brien, ka deklaruar se edhe vendet më të përgatitura po luftojnë me vaksinat e COVID-19.

Sipas Anadolu Agency, O’Brien mori pjesë në një konferencë për media të organizuar nga ACANU (Shoqata e shtypit e OKB-së në Gjenevë), së bashku me Seth Berkley, shefin ekzekutiv të aleancës ndërkombëtare të vaksinave Gavi, e cila kërkon qasje në vendet e varfra.

“Ne kemi bërë tashmë një progres vërtet të konsiderueshëm për të siguruar që vaksinat janë të sigurta, efektive dhe me cilësi të lartë”, tha O’Brien, duke shtuar se në të gjithë botën vaksinat po fillojnë të jepen.

“Kjo nuk është një sipërmarrje e vogël. Edhe vendet më të përgatitura dhe me aftësi më të larta po luftojnë për të dorëzuar këto vaksina. Ky skenar do të ketë nevojë për forcë, energji dhe ekspertizë nga të gjithë në botë për të mbështetur vendet për ta bërë këtë me efektivitet”, tha O’Brien.

Sipas saj, bota është e vetëdijshme se shumica e vaksinave janë shpërndarë në botën e zhvilluar.

“Ne tashmë kemi trajnuar dhjetëra mijëra punëtorë në vende të ndryshme përmes mjeteve virtuale për shpërndarjen e këtyre vaksinave”, u shpreh O’Brien.

Nga ana tjetër, Berkley tha se Gavi beson se instrumenti COVAX në të gjithë botën mund të japë pothuajse 2.3 miliardë doza të vaksinës COVID-19 deri në fund të këtij viti.

Në fillim të pandemisë, OBSH themeloi programin ACT-Accelerator, të njohur si COVAX, me synimin e shpejtimit të kërkimit të një vaksine efektive për të gjithë vendet, përfshirë edhe ato më të prekshmet.

“Prej tyre, rreth 1.8 miliardë doza mund të jenë në dispozicion për vendet me të ardhura më të ulëta pa ndonjë kosto për qeveritë e tyre, përfshirë mbi 700 milionë doza për kombet afrikane”, tha Berkley.

Më tej, ai theksoi se janë në përpjekje për të përmbushur objektin e tyre të vaksinimit të 20 për qind të popullsisë së secilit vend me të ardhura të ulëta, respektivisht për të mbrojtur të paktën punonjësit shëndetësor dhe grupet më të rrezikuara.

Berkley njoftoi se ndër sfidat me të cilat përballet Gavi është se ajo ka mbledhur me sukses rreth 6 miliardë dollarë prej të paktën 8 miliardë dollarëve të nevojshme për të siguruar vaksinat dhe për të mbështetur shpërndarjen e tyre. Ai përshëndeti lajmin nga SHBA se vendi do të bashkohet me instrumentin COVAX.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA