“Hija e mbretit”/ Romani i Viktor Canosinaj kushtuar lirisë dhe dashurisë

27/01/2021 12:36

“Hija e Mbretit”, një roman kushtuar lirisë dhe dashurisë së vërtetë, të shkrimtarit Viktor Canosinaj.

Aty ku përballet pushteti me krijuesin. Çfarë ndodh me një shkrimtar kur i digjet i gjithë krijimtaria? A ka nota autobiografikë në të? Në çfarë stine krijuese është aktualisht shkrimtari? Të gjitha këto do t’i kemi në një bisedë së bashku.

Është një histori e veçantë e ndodhur shekuj  më parë në Kinën e lashtë ku një perandor për të hapur një fazë të re djeg të gjitha librat”, tha Canosinaj.

Autori vendos përballë krijuesin me pushtetin, një ndër përballjet më të shpeshta e gjithherë të ndryshme në letërsi. Po nga burojnë personazhet e tij për Canosinajn.

“Personazhet dalin nga subkoshienca e shkrimtarit pa e kuptuar ai vetë dhe unë shpesh kam menduar se çdo të ndodhte me mua nëse do të merrej një vendim për asgjësimin e gjithë librave të mi. Nuk di si mund ta përballoja, sepse në letërsinë shqipe për fat të keq ka shkrimtarë që e kanë vuajtur një gjë të tillë, veçanërisht pas diktaturës”, tha ai.

Ai krijon shumë. Pothuaj çdo vit nxjerr një libër të ri. Ky është romani i 25 i tij për të rritur. Thotë se shkrimi për të është një nevojë e brendshme e panegociueshme.

“Në krijimtarinë e çdo shkrimtari ka një moshë pjekurie. Kur ai arrin atë pikun e vet dhe subjektet e ngulitura në mendje prej vitesh fermentohen dhe pastaj duhen kthyer në vepra. Ko është një periudhë e begatë që mund të zgjasë dhjetë apo njëzet vjet ku autori jep më të mirën e vet. Dhe unë gjykoj që jam ende brenda kësaj moshe, pranverë verë, me tendencë drejt vjeshtës”, thotë shkrimtari.

 

Top Channel