Chelsea nën drejtimin e Tuchel, trajneri gjerman kontratë 18 mujore me blutë e Londrës

27/01/2021 15:44

Chelsea kthen faqe dhe përgatitet të nisë epokën Thomas Tuchel. Klubi londinez pasditen e së martës konfirmoi trajnerin gjerman në stolin e Bluve të Londrës teksa nënshkroi me të edhe një kontratë 18 mujore me opsion zgjatjen e saj.

Thomas Tuchel zëvendësoi në këtë detyrë Frank Lampard, i cili u largua përpara disa ditësh për shkak të rezultateve jo të mira në Premier League me klubin londinez që e sheh veten në vendin e 10, larg luftës për titullin kampion.

Trajneri gjerman që përpara disa javësh u shkarkua si trajner i Paris Saint Germainit për t’u zëvendësuar nga Mauricio Pochettino, nuk e fshehu entuziazmin e tij për këtë aventurë të re në intervistën e tij të parë si trajner i Chelsea-s të dhënë për kanalet zyrtare të klubit.

“Do të doja të falenderoja Chelsean për besimin që tregoi ndaj meje e stafit tim. Respektojmë në maksimum punën e bërë nga Lampard dhe për atë që na la te Chelsea. Në të njëjtën kohë mezi po pres të takoj skuadrën time të re e të konkurroj në kampionatin më emocionues të dfutbollit. Jam shumë mirënjohës për faktin që jam pjesë e familjes Chelsea, është me të vërtetë diçka fantastike”, tha Tuchel.

Dhe në fakt, Thomas Tuchel, që është trajneri i 11 në epokën Roman Abramovich, e ka zhvilluar stërvitjen e tij të parë me skuadrën e Chelsea-s, debutimin me të cilin do ta bëjë sot në orën 19:00 në ndeshjen e radhës së premier League që Blutë e Londrës do ta zhvillojnë me Wolverhampton.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA