Serbia është një nga të paktat vende të Ballkanit që ka nisur procesin e vaksinimit të popullatës dhe po e bën këtë me vaksina nga Pfizer e BioNTech, vaksinën kineze Sinopharm dhe atë ruse, Sputnik V.

200 qendra vaksinimi janë hapur në vend, ku të moshuarit presin me durim në radhë për të marrë vaksinën. Pekini ka dërguar një milionë vaksina në serbi dhe sipas informacioneve, nga Kina, Bahreini dhe Peruja, efikasiteti i saj është 75-80 për qind. Por, zyrtarët e shëndetësisë në vend thonë se vaksina më e mirë është ajo që kemi në dispozicion.

35 mijë vaksina administrohen çdo ditë dhe nga e diela janë vaksinuar mbi 170 mijë qytetarë. Presidenti serb, Aleksander Vucic, e priti vet kontigjentin e vaksinave të ardhura nga kina, duke i shprehur mirënjohje të thellë Pekinit. Shtypi, e prezanton atë si shpëtimtarin e kombit që po punon pa u lodhur për të siguruar vaksina për popullin e tij. Vucic ka folur për ndërtimin e fabrikave për prodhimin e vaksinave në serbi, me teknologji që do të vijë nga Moska.

Por deri atëherë, Rusia do të dërgojë qindra e mijëra vaksina Sputnik 5 në serbi. “Shokët e vërtetë e tregojnë veten e tyre në kohë të vështirë”, thotë shumëkush. Qeveritë në Kinë dhe Rusi po bëjnë politikë me shpërndarjen e vaksinave. Veçanërisht Kina, po përpiqet të përfitojë politikisht nga situata.

Ajo tregon se është një partnere e aftë për të vepruar shpejt dhe që nuk ka nevojë të presë, si vendet e tjera. Ashtu si Serbia ndërkohë, edhe disa vende të tjera të Evropës qendrore dhe lindore, po riorientohen drejt lindjes. Hungaria, anëtare e BE-së por edhe Turqia, janë mbështetur jo pak tek kina dhe Rusia në përpjekjet për të luftuar pandeminë.

 

Top Channel