Senati i Shteteve të Bashkuara ka marrë zyrtarisht akuzën e ngritur kundër ish-Presidenti Donald Trump, i vetmi president në historinë e vendit ndaj të cilit ngrihen dy herë akuza. Anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve, të emëruar nga Kryetarja e Dhomës Nancy Pelosi si prokurorë në gjyqin kundër ish-presidentit Trump, apo siç njihen: menaxherë për procesin gjyqësor, i dorëzuan akuzat të hënën në mbrëmje.
Ndaj ish-presidentit rëndon një akuzë e vetme: nxitja e dhunës, përmes retorikës së tij që rezultoi në sulmin e përgjakshën në Kapitol më 6 janar. Nëntë ligjvënësit që do të kryejnë rolin e pales akuzuese, përshkuan sallën qendrore të Kapitolit, skenë e sulmeve të dhunshme më 6 janar, për të dorëzuar akuzën. Senati, i ndarë barabar në vija partiake, do të duhej të votonte me shumicë të cilësuar – të paktën 2/3 e anëtarëve, ose të 50 demokratët dhe 17 republikanë për ta shpallur zotin Trump fajtor.
Një procedurë e ngjajshme u krye për gjyqin e parë ndaj zotit Trump janarin e kaluar. Donald Trump është presidenti i vetëm i Shteteve të Bashkuara i akuzuar dy herë për t’u shkarkuar nga detyra dhe i pari që do të përballet me gjyqin, pas largimit nga detyra. Nëse Senati e shpall fajtor, kjo mund të rezultojë në një votë për t’i ndaluar atij mbajtjen e një posti zyrtar në të ardhmen. Në bazë të një marrëveshje mes dy palëve, gjyqi nuk do të fillojë deri më 9 shkurt. Kjo i jep ish-presidentit Trump më shumë kohë për të përgatitur mbrojtjen dhe i jep mundësi Senatit të përqendrohet në konfirmimet e anëtarëve të Kabinetit.
Pas një fushate dy-mujore pretendimesh pa prova se kishte fituar në zgjedhje, zoti Trump më 6 janar u bëri thirrje përkrahësve të tij të “luftonin” për të përmbysur rezultatin. Më pas një turmë shkoi në Kapitol, duke detyruar ligjvënësit të ndërprisnin senacën, të fshiheshin në mjedise të sigurta dhe të shtynin për disa orë çertifikimin e fitores së zotit Biden. Dhjetë anëtarë republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve u bashkuan me Demokratët në votimin për ta akuzuar zotin Trump. Republikanë të shumtë, përfshirë udhëheqësin e tyre në Senat, Mitch McConnell, e kanë dënuar dhunën dhe e kanë kritikuar zotin Trump për nxitjen e saj.
Megjithëse shumë senatorë republikanë janë rezervuar në komente, nuk pritet që 17 prej tyre të votojnë për ta shpallur ish-presidentin fajtor. Dy senatorë republikanë me peshë, Marco Rubio dhe Mitt Romney – shprehën qëndrime të kundërta të dielën në lidhje me vlerën e gjyqit në Senat për ish-Presidentin Republikan Donald Trump, i cili akuzohet për nxitje të rebelimit në sulmet e Kapitolit të SHBA nga qindra mbështetës të tij më 6 janar.
Zoti Rubio, një senator nga Florida, i tha emisionit “Fox News Sunday” se zoti Trump “mban përgjegjësi për një pjesë të asaj që ndodhi”, por shtoi se ai e kundërshton gjyqin e Senatit. “Kjo thjesht do të na kthente tek ajo që kemi përjetuar gjatë pesë viteve të fundit dhe gjyqi do të ishte diçka e keqe për vendin, “tha ai. “Ky nuk është një proces penal. Ky është një proces politik dhe do të nxisë ndasitë që kanë paralizuar vendin”, tha zoti Rubio. Zoti Romney, një senator nga shteti Utah dhe ish-kandidat presidencial republikan në vitin 2012, i tha televizionit CNN se beson se “nxitja e rebelimit është një vepër e dënueshme. Nëse kjo nuk është e dënueshme, çfarë tjetër mund të ishte?”
Senatori Romney tha se ai beson se zoti Trump ishte “bashkëpjesëmarrës në një sulm të paparë ndaj demokracisë.” “Nuk ka asnjë provë që këto zgjedhje të jenë vjedhur,” tha zoti Romney, duke iu referuar pretendimeve pa prova të ish-presidentit Trump. Gjyqi i Senatit fillon javën e 9 shkurtit. Zoti Romney ishte i vetmi republikan që votoi për ta shpallur fajtor zotin Trump në gjyqin e tij të parë vitin e kaluar. Këtë herë janë disa republikanë që kanë thënë se janë të hapur për ta shpallur fajtor ish-presidentin për nxitje të rebelimit.
Top Channel