Seanca e parë e Gjykatës Kushtetuese, rrëzon padinë e ngritur për dënimet në mungesë

26/01/2021 16:27

Gjykata Kushtetuese nisi zyrtarisht sot punën. Gjykata Kushtetuese zhvilloi seancën e saj të parë në orën 10:00, pas dy vitesh ndërprerje për shkak të “shkrirjes” së saj nga vettingu.

Çështja e parë që u shqyrtua ishte kërkesa nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila kërkon “shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të togfjalëshit ‘nga Gjykata e Shkallës së Parë, që ka dhënë vendimin në dhomën e këshillimit’, parashikuar në pikën 1 të nenit 453 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe togfjalëshit ‘… i së njëjtës gjykatë’, parashikuar në pikën 3 të nenit 453 të Kodit të Procedurës Penale, të ndryshuar me ligjin nr. 35/ 2017″.

Ankimimi ishte bërë për antikushtetueshmërinë e nenit 453 te kodit të procedurës penale, ku prej 2017 kodi i procedurës penale i ndryshuar parashikon se ankimet për gjykimet në mungesë rishikohen nga gjykata që ka dhënë vendimin në dhome këshillimi me një gjyqtar.

Por në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese vendosi rrëzimin e kërkesës.

Njoftimi

Gjykata Kushtetuese, në datën 26.01.2021, ka marrë në shqyrtim kërkesat me nr.G-11, datë 11.09.2018; G-3, datë 20.03.2019; G-4, datë 14.05.2019; G-1, datë 10.02.2020 dhe G-6, datë 18.09.2020 të Regjistrit Themeltar, me kërkues Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe me objekt: “Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i togfjalëshit “nga gjykata e shkallës së parë që ka dhënë vendimin në dhomën e këshillimit”, parashikuar në pikën 1 të nenit 453 të Kodit të Procedurës Penale (“KPP”), si dhe i togfjalëshit “… i së njëjtës gjykatë”, parashikuar në pikën 3 të nenit 453 të Kodit të Procedurës Penale, të ndryshuar me ligjin nr.35/2017.

Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese vendosi rrëzimin e kërkesës. Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar me ligjin nr.99/2016.

Top Channel