Dekada të tëra me zbulime arkeologjike u hapën për publikun në Pompei, duke hedhur më shumë dritë mbi qytetin e lashtë romak të shkatërruar nga një shpërthim vullkanik rreth 2 mijë vite më parë.

Mes tyre një kuti mjetesh e një magjistari, ku përfshiheshin hajmali, unaza, statuja dhe të tjera objekte fati të bëra me fildish, bronz, qeramikë dhe qelibar, që qartësisht nuk ishin të mjaftueshme për të mbrojtur qytetin nga katastrofa.

Është një nga gjërat më spektakolare që kemi gjetur gjatë gërmimeve tona: hajmalitë që gjetëm në një kuti, në një shtëpi, që duket se i përkasin një gruaje apo një burri që mbahej për magjistar – thotë Massimo Osanna, drejtor i parkut arkeologjik të Pompeit, afër Napolit, në Italinë e jugut.

Ai foli në inaugurimin e Atntiquarium, një muze i rikonstruktuar që mban statuja bronzi, afreske, objekte të çmuara ari dhe argjendi si edhe atë ç’ka ka mbetur nga trupat e viktimave, të ruajtur mrekullisht nga hiri i shpërthimit të Vezuvit në tetor të vitit 79 të erës sonë.

Salla që dokumenton ditët e fundit të qytetit është pjesa më interesante e ekspozitës.

Parku i Pompeit i është nënshtruar një projekti të madh konservimi të financuar kryesisht nga bashkimi evropian, që riktheu në jetë një sit të trashëgimisë botërore të mbrojtur nga Unesco që për shumë kohë ishte shënjuar nga neglizhenca.

Top Channel