Manchester City mbyll gjysmën e parë të kampionatit anglez në krye, pasi mbrëmjen e sotme ia doli të triumfojë me rezultatin e thellë 0-5 në transfertën ndaj West Bromwich Albion, duke dominuar totalisht nga fillimi në fund.

Skuadra e Pep Guardiolës konfirmohet në një moment të shkëlqyer, pasi regjistroi fitoren e 6 radhazi në kampionat dhe tashmë kryeson me meritë renditjen e Premier League, me plot 41 pikë, një më shumë se skuadra tjetër e qytetit, Manchester United.

“Citizens” shënuan plot 4 herë që në pjesën e parë, dy herë me mesfushorin turko-gjerman Yilkay Gundogan dhe nga një gol me portugezin Joao Cancelo e Riyad Mahrez, ndërsa në pjesën e dytë ishte Sterling që vulosi suksesin me goleadë.

Vijon të bëjë mirë edhe Arsenali, që mori një tjetër fitore mbrëmjen e sotme, pasi mposhti Southampton 1-3 në “St. Mary’s Stadium”. Vendasit zhbllokuan sfidën që në minutën e tretë me anë të Armstrong, por londinezët përmbysën gjithçka që në pjesën e parë me Pepe e Sakha, para se Lacazette të vuloste suksesin me golin e tretë në pjesën e dytë.

Me 5 fitore në 6 ndeshjet e fundit, “topçinjtë” vijojnë ngjitjen në renditje, pasi momentalisht kanë shkuar në vendin e 8 me 30 pikë dhe janë vetëm 5 pikë larg zonës Champions, aty ku edhe synojnë të arrijnë deri në fund.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA