Udhëheqësit botërorë zhvilluan një diskutim përmes internetit në kuadër të Takimit të Përshtatjes me Klimën,organizuar nga Hollanda me shpresën për të zhvilluar zgjidhje praktike dhe për të diskutuar burimet financiare për trajtimin e ndryshimeve klimatike nga ky moment deri në vitin 2030.
Udhëheqës nga e gjithë bota morën pjesë, përfshirë Zëvendës Kryeministrin e Kinës Han Zheng, Kancelaren gjermane Angela Merkel, Presidentin francez Emmanuel Macron, Kryeministrin britanik Boris Johnson dhe të tjerë.
SHBA përfaqësohej nga ish-Sekretari i Shtetit John Kerry, i cili është emëruar nga Presidenti Joe Biden si emisari i ri i Uashingtonit për klimën. Zoti Kerry tha në takim se administrata e Presidentit Biden e ka bërë luftën ndaj ndryshimeve klimatike një përparësi kryesore dhe theksoi se SHBA është krenare që përsëri kryeson në këtë çështje.
“Tani kemi një president, falë Zotit, që udhëheq, tregon të vërtetën dhe është i angazhuar në këtë çështje,” tha zoti Kerry. “Presidenti Biden e di që ne duhet të mobilizohemi në mënyra të papara për të përmbushur një sfidë që thellohet me shpejtësi. Ai e ka të qartë që kemi kohë të kufizuar për ta vënë problemin nën kontroll”. Zoti Kerry tha se për këtë arsye Presidenti Biden e riktheu menjëherë vendin në marrëveshjen e Parisit për klimën nga e cila ish-Presidenti Donald Trump u tërhoq zyrtarisht nëntorin e kaluar. Zoti Trump fillimisht njoftoi se Amerika po tërhiqej nga marrëveshja në vitin 2017, por rregulloret e Kombeve të Bashkuara nuk lejuan që akti të hynte në fuqi deri në nëntor.
Presidenti Biden e riktheu Amerikën në Paktin e Parisit në ditën e tij të parë në detyrë. Si sekretar i shtetit nën ish Presidentin Barack Obama në vitin 2015, zoti Kerry ndihmoi në negocimin e marrëveshjes fillestare, duke e sjellë Kinën në tryezën e bisedimeve të OKB-së gjatëkonferencës së Parisit për klimën.
Top Channel