Hetim në Departamentin e Drejtësisë nëse zyrtarë të tij u përpoqën të përmbysin rezultatet e zgjedhjeve

26/01/2021 03:59

Inspektori i përgjithshëm i Departamentit të Drejtësisë po ndërmerr një hetim për të përcaktuar nëse ndonjë ish- zyrtar ose zyrtar aktual i këtij departamentit “është përfshirë në përpjekje të papërshtatshme” për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Inspektori i Përgjithshëm, Michael Horowitz tha të hënën se hetimi do të shqyrtojë pretendimet në lidhje me sjelljen e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të Departamentit të Drejtësisë, por nuk do të përfshijë zyrtarë të tjerë qeveritarë.

Hetimi vjen pasi gazeta New York Times njoftoi se një ish-ndihmës prokuror i përgjithshëm, Jeffrey Clark, kishte diskutuar mbi një plan me Presidentin e atëhershëm Donald Trump për të shkarkuar Prokurorin e Përgjithshëm në detyrë, ishte përpjekur të sfidonte rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 dhe të sugjeronte në mënyrë të pasaktë se kishte pasur mashtrime zgjedhore në shkallë të gjerë.

Njoftimi për hetimin vjen dy ditë pasi kreu i shumicës demokrate të Senatit, Chuck Schumer kërkoi që inspektori i përgjithshëm të niste një hetim “në këtë përpjekje për sfidë ndaj institucioneve”. Demokrati i Nju Jorkut tha se ishte “e papërgjegjshme që një drejtues i Departamentit të Drejtësisë të administratës Trump të komplotonte për të sabotuar vullnetin e popullit”.

Zyrtarët e zgjedhjeve në të gjithë vendin, ashtu si edhe ish-prokurori i përgjithshëm i zotit Trump, William Barr, kanë konfirmuar se nuk ka pasur mashtrim të gjerë në zgjedhje. Guvernatorët republikanë në Arizona dhe Xhorxhia, shtetet kryesore vendimtare të fituara nga zoti Biden, dhanë gjithashtu garanci për integritetin e zgjedhjeve në shtetet e tyre. Pothuajse të gjitha sfidat ligjore nga zoti Trump dhe aleatët e tij janë hedhur poshtë nga gjykatësit, dy prej të cilave nga Gjykata e Lartë, përfshirë tre anëtarët e gjykatës të emëruar nga ish-presidenti Trump./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA