Futbollisti Mesut Ozil, ka thënë se do të jetë gjithmonë pëlqyes i ekipit të Arsenalit, pavarësisht pse është transferuar në klubin Fenerbahçe.
Lojtari 32-vjeçar ka nënshkruar kontratë për tri vjet e gjysmë me ekipin turk.
Ai ka fituar me Arsenalin tri kupa të futbollit të brendshëm anglez, si dhe ka shënuar 44 gola gjatë kohës sa ka qenë aty.
Megjithatë, Ozil nuk ka luajtur për këtë ekip nga marsi i vitit të kaluar.
“Është e vështirë për mua ta them me fjalë dashurinë që kam për klubin dhe tifozët”, ka thënë Ozil përmes një letre të hapur.
“Si do të mund të përshkruaja tetë vjet të mirënjohjes përmes një letre të vetme?”
Ai ka shtuar: Arsenali është klub i klasit dhe prestigjit, diçka që unë e kam ndjerë secilën herë që kam ecur në fushë. Lojtarët, stafi dhe menaxhmenti gjithmonë shkojnë dhe vijnë – mirëpo vlerat e klubit dhe tifozët do të mbesin përgjithmonë”.
Ekipi i Fenberbahçes ka njoftuar zyrtarisht blerjen e Ozilit përmes një deklarate nga bursa e Stambollit.
Ceremonia e nënshkrimit pritet të zhvillohet të martën ose mërkurën e javës së ardhshme.
Top Channel