Një emigrant i jashtëligjshëm nga Algjeria është bllokuar në Kosovë, nga ku bën thirrje se është në rrezik vdekje.

Ai ka kërkuar që të kthehet sërish në vendin e tij pasi u sulmua me thikë dhe tani po qëndron i fshehur nga autorët, të cilët nuk janë identifikuar.

Emigranti i identifikuar si Mohamed Soussi hyri në Kosovë në mënyrë klandestine duke kaluar më parë përmes Turqisë, Greqisë dhe Shqipërisë. Me anë të një videoje, e cila është bërë publike nga mediat e huaja, rrëfen makthin që po përjeton teksa rrëfen se nuk është në gjendje të lëvizë.

Ai rrëfeu se jeton falë ndihmës së një grupi algjerianësh, të cilët i sollën lëng frutash dhe e fshehën në një dhomë lutjes. I riu algjerian shprehet: “Unë kërkoj nga autoritetet algjeriane të ndërhyjnë dhe të më kthejnë në vend. Kjo është gjithçka që unë kërkoj.”

Më pas i dërgoi një mesazh të qartë ministrit të Punëve të Jashtme, Sabri Boukadoum, të cilit i thotë: “I kërkoj të më çojë në shtëpi, për hir të zotit, sepse nuk mund ta duroj më!”.

Top Channel