KQZ nuk certifikoi listën e kandidatëve për deputetë, AAK dorëzon ankesë në PZAP

23/01/2021 16:31

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) sot ka dorëzuar ankesën në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e ka certifikuar listën e kandidatëve të kësaj partie, për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, kjo për shkak se kjo AAK-ja nuk i ka zëvendësuar emrat e kandidatëve në lista që sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës (GJK) kanë pasur dënime për vepra penale në tri vitet e fundit.

Kushtrim Xhemajli nga zyra për informim të AAK-së thotë se ankesa në PZAP është deponuar sot para një ore.

“Po, sot para një ore është deponuar ankesa”, ka thënë shkurt Xhemajli për Telegrafin. Ndërkaq, pritet që edhe Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma Socialdemokrate të dorëzojnë ankesën e tyre në PZAP për çështjen e njëjtë, mirëpo deri më tash zyrtarë të tyre nuk i janë përgjigjur telefonatave të Telegrafit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen maratonike, e cila u mbajt një ditë më parë, nuk i ka certifikuar listat e kandidatëve të LVV-së, AAK-së e Nismës për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit.

Kjo për shkak se këto parti nuk i kanë zëvendësuar emrat e kandidatëve në lista që sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës (GJK) kanë pasur dënime për vepra penale në tri vitet e fundit.

Top Channel