Arsenali i thotë lamtumirë Kupës së Anglisë. Skuadra kampione në fuqi e këtij kompeticioni u eliminua nga Southampton që e mposhti skuadrën e Artetës me rezultatin 1-0.
Topçinjtë e Londrës hynë në fushën e lojës me ndryshime në formacion ndërkohë që pak përpara sfidës humbi edhe shërbimin e Pierre Emerick Aubameyang.
Southamptonit i mjaftoi autogoli i Gabriel për të vendosur fatin e takimit në favorin e tij duke lënë jashtë Kupës së Anglisë, Topçinjtë e Londrës me këta të fundit që panë t’u ndërpritej seria e rezultateve pozitive. në fakt Arsenali që nga 22 dhjetori nuk pësonte humbje, e fundit ishte pikërisht ajo ndaj Manchester City në Kupën e Ligës
Southampton e gjeti avantazhin në minutën e 24 kur Walker Peters shfrytëzoi një gabim në vendosje të Elneny dhe kërkoi të dërgojë topin në zonë,por ndërhyrja e Gabriel i ndryshoi trajektoren topit duke e cuar atë në rrjetën e portës së skuadrës së tij.
Më pas Arsenali u hodh në sulm në kërkim të golit të barazimit, por Southamptoni rezistoi, madje pati edhe momente kur rrezikoi sërish Topçinjtë. Arteta aktivizoi lojtarë më të fortë fizikisht për të thyer rezistencën e Southampton, por ky i fundit diti të vuajë dhe në fund arriti të fitojë këtë ndeshje duke u kualifikuar për në 1/8 e finaleve të Kupës së Anglisë
Top Channel