Rastet e ndërhyrjeve të shpëtimit në banesa, sidomos rastet aksidentale të mbylljes së dyerve janë shtuar mjaft së fundi në të gjithë territorin që mbulon shërbimi zjarrfikës në Gjirokastër.

Zjarrfikësit flasin për raste veçanërisht emocionale kur iu është dashur të shpëtojnë fëmijë të mitur, të moshuar, të sëmurë, të paralizuar, njerëz që kanë kërkuar ndihmë në dukje për një emergjencë të vogël por që kërkon përpjekje të mëdha sipas tyre.

Një fëmijë i vogël ishte midis tre dhe katër vjeç, i kishte mbyllur derën prindërve, pallati ishte 10-katësh dhe ne duhej të zbrisnim në katin e shtatë. Shkuam me shpejtësi atje duke qenë se dyert e dritaret e shtëpisë ishin të hapura, rrezikonte që fëmija të dilte në ballkon apo dalje të tjera dhe të hidhej. Zbrita me litar dhe e gjeta fëmijën brenda, për fat nuk kishte dalë në ballkon. Edhe fëmija u çudit kur më pa mua brenda ambjenteve të shtëpisë. Ishte rast i veçantë, familjarët dhe prindërit po qanin”  tregon zjarrëfikësi Afrim Çako.

Ai rrëfen se ky ishte një rast emocional për të. “Ne jemi prindër vetë. Imagjino të kesh fëmijën e vogël atje që në çdo moment të rrezikojë jetën, mund të luajë me një shkrepëse, mund të bëjë një veprim të gabuar, mund të pijë ilaçe, mund të bëjë çdo gjë”.

Në shumicën e emergjencave mjeti kryesor duket se është litari që lidhet në forma të ndryshme sipas rastit ndërsa zjarrfikësit bëjnë thirrje për një autoshkallë për shkak të shtimit të numrit të rasteve kur kemi bllokime dyersh dhe emergjenca në katet e sipërme të pallateve, jo vetëm për dyert por edhe zjarret që mund të kthehen në emergjenca nga momenti në moment.

Kjo është tipike. Ne kemi 5-6 raste deri në 10 raste në muaj të ndërhyrjeve të tilla. Mund të ishte një ndihmë nëse ne do të kishim autoshkallë që ne nuk e kemi. Është shumë e nevojshme jo vetëm për operacionet e tilla por sidomos për të ndërhyrë në rast zjarri. Imagjino një zjarr në kat të shtatë, në kat të tetë me autoshkallë zjarrfikësi nuk futet fare në banesë por nga jashtë ndërhyn me ujë pa ju rrezikuar jeta fare”, sqaron Kujtim Bizhga, komandant i shërbimit.

Emergjencat e shkaktuara prej mbylljes aksidentale të dyerve të blinduara janë mes arsyeve kryesore të telefonatave që i drejtohen shërbimit zjarrfikës në Gjirokastër. Shpeshtësia e thirrjeve ka bërë që për rastet kur nuk rrezikohet jeta e personave në banesë zjarrfikësit të vendosin tarifa fikse për shërbimin, të ardhura që planifikohen të përdoren për modernizimin e pajisjeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA