Bisedë me Kadarenë/ Shkrimtari në “koha për rrëfim”, mbi letërsinë dhe jetën

23/01/2021 19:54

Shkrimtari i shquar Ismail Kadare kthehet pranë lexuesit shqiptar me ”Koha për rrëfim”, një bisedë me Alda Bardhylin.

Jeta në Moskë, dashuria e parë, marrëdhënia me regjimin, dhe shumë fakte te panjohura do të zbulohen në këtë libër rrëfimesh, botimi i të cilit u bë publik gjatë një takimi që shkrimtari pati sot me të rinjtë e Klubit të Librit të Kavajës.

Në prag të 85-vjetorit të lindjes, Kadare shuajti kërshërinë e të rinjve mbi shumë pyetje rreth universit të tij letrar.

Bashkëshortja dhe shkrimtarja Helena Kadare rrëfeu se momentet më të vështira për familjen qenë ato pas botimit të ”Pallatit të Ëndrrave” dhe ”Pashallarët e kuq”.

Gjatë takimit te organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit, Kadare tërhoqi vëmendjen te rëndësia e mirëmbajtjes së gjuhës shqipe përmes përdorimit të saj.

I njohur si një nga emrat e mëdhenj të letërsisë europiane, jeta dhe vepra e Kadaresë ka marrë dhe vëmendjen e kinematografëve. Së fundmi, një produksion francez ka marrë përsipër të realizojë një film artistik për jetën e tij.

Top Channel