Dezertuesja rrëfen tmerrin e propagandës në Korenë e Veriut: Na thonin Kim Jong-un lexon mendjet

22/01/2021 20:27

Një dezertuese nga Korea e Veriut ka rrëfyer së fundmi për tmerrin e propagandës nga autoritetet komuniste të vendit, duke thënë se fëmijëve në shkollë u mësohet se Kim Jong-un dhe anëtarët e familjes së tij, mund të lexojnë mendjet e njerëzve.

Yeonmi Park është arratisur nga Korea e Veriut në moshën 13 vjeçare duke kaluar kufirin për në Kinë. Pasi eci duke arritur në Mongoli ajo thotë se ishte ndihmuar nga punonjës të ambasadës së Koresë së Jugut në Kinë dhe tashmë studion në SHBA.

Në një intervistë me mediat Park shpjegon si funksionon propaganda koreano-veriore.

“Dy diktatorët e parë Kim, ishin shumë të fuqishëm dhe popullit i thuhej se ata ishin Zoti”, thotë ajo duke iu referuar babait dhe gjyshit të Kim Jong Un.

“Pas arratisjes sime unë kisha frikë të mendoja sepse kisha mësuar se Kim-ët mund të lexojnë mendjet tona. Por ajo që ka bërë në fakt regjimi koreano-verior është kopjimi i shkrimeve të Biblës. Feja kristiane thotë se Zoti e di çfarë mendoni dhe se megjithse Jezusi vdiq, fryma e tij jeton me ne përgjithmonë”.

“Ajo që na thoshte ne regjimi është se 2 Kim-ët e parë kanë vdekur, por fryma e tyre jeton me ne përgjithmonë”.

“Kur isha në Korenë e Veriut unë besoja sinqerisht se Kim-ët kishin uri dhe se ata po vuanin, pasi kështu thuhej në të gjitha këngët që ne duhet të këndonim”.

“Ne mësonim në shkollë se liderët e vdekur po vuanin urie për ne.”

Kim Jong-un u bë diktator i Koresë së Veriut pas vdekjes së babait të tij në 2011.

Por zonja Park thotë se gjithsesi forca e propagandës është zbutur me ardhjen e Kim Jong-un.

Ajo shton: “Njerëzit e besojnë sinqerisht se ata ishin Zota, por me Kim Jong-un, Kim-in e fundit, ka pasur më shumë zbutje të mendimit.

“Informacioni nga jashtë tashmë po hyn brenda dhe ata po u mësojnë fëmijëve se Kim-ët janë njerëz dhe bëjnë gjëra njerëzore si shkojnë në banjë, qajnë, dhe nuk janë Zotë që jetojnë në male duke bërë mrekullira”.

“Më shumë njerëz në Korenë e Veriut po e kuptojnë gënjeshtrën e propagandës.”

Pas arratisjes së Park në mars 2007 bashkë me motrën e prindërit e saj, ajo thotë se për hakmarrje, familjarë të tjerë të tyre ishin torturuar nga regjimi.

Ajo shton: “Për këtë arsye diktatori i fundit është pak i adhuruar nga njerëzit. Kim Il-sung nisi të ndërtonte socializmin në vitet 60-të, dhe atëherë Korea e Veriut ishte më mirë se Korea e Jugut, por prej atëherë ka marrë tatëpjetën.”

“Më pas ishte koha e Kim Jong-il që tentonte të imitonte të atin dhe i thoshte njerëzve se nëse ata e mbështesnin, deri në vitin 2012 do të arrinin parajsën socialiste, Utopinë.

“Por 2012 erdhi dhe asgjë nuk ndodhi, vetëm se ai kishte vdekur. Kështu që Kim Jong-un e kishte më të vështirë të bindte njerëzit se ai është ‘Zoti i Madh’ që mund t’i çojë në parajsën socialiste”, shton dezertorja.

FOTO GALERI
1/5
Yeonmi Park është arratisur nga Korea e Veriut në moshën 13 vjeçare duke kaluar kufirin për në Kinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA