Kupa e mbretit në Spanjë/ Real Madrid eliminohet nga një skuadër e divizionit të tretë

21/01/2021 12:39

Kupa e Mbretit në Spanjë vazhdon të  dhurojë surpriza të jashtëzakonshme. Pas Atletico Madridit, një tjetër skuadër e madhe e futbollit iberik e sheh veten përpara kohe jashtë këtij kompeticioni dhe bëhet fjalë për Realin e Madridit me Los Blancos që ashtu sikurse edhe rivalët e qytetit, u eliminuan nga një skuadër e divizionit të tretë të futbollit spanjoll.

Skuadra që turpëroi skuadrën e Zidane në këtë raund të Kupës së Mbretit ishte Alcoyano që e mundi me rezultatin 2-1 pas kohës shtesë e për më tepër me një futbollist më pak. Që në fillim u duk se kjo ndeshje në El Collao të Alcoy nuk do të ishte e lehtë për Realin e Madridit me të cilin Zidane aplikoi rotacionin. Alcoyano rezisto mjaft mirë ndaj kampionëve të Spanjës. por  gjërat u dukën se do të ktheheshin në normalitet në fundin e pjesës së parë kur Militao shënoi për Realin e Madridit.

Por pas pushimit të ndeshjes, Reali Madridit preferoi të mos e rrisë presionin sikur të ishte duke menduar se e kishte në dorë këtë ndeshje, por Los Blancos e paguan shtrenjtë këtë sjellje pasi 10 minuta nga fundi Alcoyano barazoi rezultatin me Jose Solbes pas një goditje këndi duke bërë që skuadrat t’i drejtohen 30 minutave të kohës shtesë. për Realin zbritën në fushë Asensio, Hazard, Kroos për të evituar këtë figurë të shëmtuar dhe u duk se gjithcka do të kthehej në favor të tij kur në minutën e 110, Lopez u ndëshkua me karton të kuq, duke e lënë Alcoyanon në inferioritet numerik, por 5 minuta nga fundi skuadra vendase i bëri gjëmën Realit teksa shënoi golin e dytë me Junan Casanova. Ky gol i dha një goditje të fortë Realit të Madridit që nuk kishte më fuqi të reagonte duke u dorëzuar e pranuar verdiktin e eliminimit nga Kupa e Mbretit.

Top Channel