Rajmonda Nikës këto dhjetë vite pa bashkëshortin Aleksin e vrarë nga plumbat e gardës në bulevard në 21 janar, i është dashur të rrisë dy vajzat e mbetura jetime. Nuk e ka patur të lehtë, por si një  burrëreshë e vërtetë ia ka dalë.

Në Lezhë e takojmë bashkë me dy vajzat.

Amelia ishte 2 vjeçe ndërsa Mentila kishte vetëm 1 muaj që kishte lindur kur Aleksit plumbat i morën jetën.

Për herë të parë, me lot në sy,  vajzat  e Aleks Nikës, gjejnë kurajon të thonë disa fjalë, për mungesën e babait, në një intervistë për gazetarin e Top Channel, Muhamed Veliun.

Mentila Nika: Kam qejf që ata që e kanë vrarë të dalin vetë para të gjithë botës.

Muhamed Veliu:Kur ti shikon fotot e babit çfarë ndjen?

Mentila Nika: Unë ndjej mungesë.

Amelia Nika: Mua babi më mungon shumë. Përveçse kam patur mamin, kam hallat, gjyshin gjyshen. Mami i ka bërë të dyja rrolet. Edhe mamin edhe babin.

Muhamed Veliu: A i shikon shpesh fotot e babit?

Amelia Nika: Po i shof. I them mamit sa i mirë ka qenë babi, do të doja të dëgjoja zërin e tij. Shpresoj që së shpejti ta gjejmë atë njeri që e bëri atë krim dhe të dënohet me dënimin që duhet.

Sfida e Rajmondës këto 10 vite ka qenë të treguarit gradualisht vajzave atë që ndodhi atë 21 janar të kobshëm.

Rajmonda Nika: Ka qenë shumë e vështirë, së pari për ti bindur fëmijët dhe me i tregu disi se si ka rrjedhë ngjarja që ato ta kuptojnë më mirë e të rriten të qeta e pa stres pasi gjithmonë bëjnë të njëjtën pyetje dhe kërkojnë përgjigje. Nuk di se si tja shpjegoj. Ato janë rritur tani e shikojnë gjërat pak me sy ndryshe, më kuptojnë. Shikojnë fotografitë. Kemi patur mbështetje të madhe nga hallat, prindërit e Aleksit dhe besoj se do ta kalojmë këtë fazë deri atherë sa të rriten edhe të kuptojnë gjithçka.

Mark Nika xhaxhai i Aleksit gjatë këtyre 10 viteve nuk ka reshtur së kërkuari drejtësi.

Mark Nika: Dhjetë vite janë shumë. Ne vuajmë shumë si familje veçanërisht prindërit e tij që janë të vjetër dhe meraku jonë është se ata mund të shkojnë në botën tjetër pa u zbardh e vërteta dhe pa u dënuar fajtorët. Qeveria ka neglizhuar dhe e ka harruar kauzën e 21 Janarit. Nga Gjykata e Tiranës familja ka marrë dëmshpërblimin e dëmit të shkaktuar nga vrasjet. Duam ti kthejmë paratë. Nuk do të lejojmë që gjaku Aleksit të blehet me para.

Në 7 vite qeverisje socialistët dështuan të bëjnë drejtësi për 21 Janarin, duke mos e përmbushur angazhimin e marrë në Gjykatën e Strasburgut për rihapje të hetimeve. Ndërsa urdhëruesit dhe ata që zhdukën provat e këtij krimi  shtetëror, përmes fshirjes së serverëve të kryeministrisë, po kërkojnë votën e shqiptarëve për tu rikthyet në pushtet përmes zgjedhjeve të 25 Prillit.

Top Channel