Operacioni kundër Ndranghetas në Itali vazhdon, me raportime arrestimesh të reja dhe sekuestrime pasurish që nga mediat vendase përshkruhen si “marramendëse”.
Në mesin e personave të përmendur gjatë megaoperacionit të Antimafias italiane, të koduar “Basso profilo”, figuron dhe emri i një gruaje shqiptare. 47 persona kanë përfunduar në pranga si rezultat i operacionit, 59 kompani kanë përfunduar nën sekuestro; e njëjta gjë ka ndodhur me 45 banesa e 29 automjete.
Janë sekuestruar po kështu 77 llogari bankare e një mjet lundrues. Ndër të tjera është urdhëruar ndalimi i qëndrimit në komunën e Katanzaros dhe ndalimi i ushtrimit të profesionit për një periudhë prej një viti për noterin Rocco Guglielmo. Masa paraprake e ndalimit të qëndrimit në të njëjtën komunë së bashku me detyrimin e paraqitjes në polici u dha dhe për shqiptaren të cilën shtypi Italian e identifikon si Odeta Hasaj.
Rreth 370 forca policore, prej të cilëve 200 pjesë e trupave të Antimafias italiane, e 170 forca të përbëra nga Guardia di Finanza e të Policisë së Shtetit kanë marrë pjesë në operacionin që po po ekzekuton urdhër arrestime të shumta ndaj eksponentëve më të rëndësishëm mafiozë të klaneve të mafias kalabreze. Deri tani, ai ka zbardhur një aktivitet të paligjshëm parash me vlerë mbi 300 milionë euro.
Top Channel