Një 39-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi kanosi me armë zjarri pistoletë një tjetër person në Babrru.
Arma e zjarrit nuk është gjetur ende, por dyshohet se fshihet nga bashkëpunëtori, i cili është shpallur në kërkim pasi ishte i pranishëm në vendngjarje.
Gjithashtu pas hekurave ka përfunduar një 38-vjeçar, mjetin e të cilit e kontrolluan forcat e posaçme “Shqiponjat” dhe gjetën sasi narkotike ‘kanabis sativa’. Për të njëjtën vepër akuzohet edhe një 19-vjeçar që u kap nga specialistët për hetimin e narkotikëve. Ndërsa një i mitur i moshës 17-vjeçare akuzohet për veprën penale “Vjedhja”.
Njoftimi i policisë:
Arrestohen në flagrancë 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Forcat e posaçme “Shqiponjat”, në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme kundër aktivitetit kriminal në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, goditën një tjetër rast. Si rezultat, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve u arrestua në flagrancë shtetasi E. S., 38 vjeç, pasi në rrugën “Jordan Misja”, gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin me të cilin po qarkullonte, u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde narkotike e dyshuar cannabis sativa.
Po nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit D. Sh., 19 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjetën dhe u sekuestruan një sasi dozash me lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit S. T., 39 vjeç, pasi në Babrru ka kanosur me armë zjarri pistoletë shtetasin P. Ll. Gjatë kontrollit për gjetjen e armës nga veprimet hetimore rezultoi se arma e zjarrit është marrë dhe fshehur nga shtetasi A. K., i pranishëm në vendngjarje, i cili është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij.
Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë arrestimi në flagrancë të shtetasit të mitur me iniciale K. V., 17 vjeç, për veprën penale “Vjedhja”.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel