Shit-blerja e automjeteve në këtë fillimviti ka shkaktuar fluks për regjistrimin e tyre në Durrës. Drejtuesit e automjeteve po përballen me radhë dhe vonesa të gjata në kontrollin fizik të mjeteve rrugore.
Ka kaluar mesdita dhe pranë Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor në Shkozet, drejtuesit shprehen se kanë që në orën 05.00 të mëngjesit në radhë. Madje ka nga ata që janë kthyer për të dytën ditë.
Pronarët e automjeteve ankohen se askush nuk i informon mbi arsyet e këtyre vonesave të theksuara.
Pranë Drejtorisë së Transportit Rrugor në Durrës bëjnë me dije se këto vonesa shkaktohen pasi procedura e regjistrimit të automjeteve të reja apo atyre që ndryshojnë pronësinë tani kërkon përveç kontrollit fizik dhe hedhjes së të dhënave për çdo automjet edhe futjen në sistem të disa fotove që dëshmojnë gjendjen e automjetit në çastin e regjistrimit. Ngarkesa në sistem shkakton dhe vonesën në procedurë për çdo automjet.
Çdo ditë pranë kësaj drejtorie regjistrohen rreth 100-120 automjete.
Top Channel