Një pikturë e vjedhur 500-vjeçare është zbuluar në një apartament në Itali dhe është rikthyer në muzeum, ku stafi besohet se ende nuk e kishte kuptuar se ishte vjedhur.
Kopja e Salvator Mundi, që besohet se është pikturuar nga Leonardo da Vinci, u gjet të shtunën në një dollap në Napoli.
Disa studiues thonë se kopja e pikturës është realizuar nga një prej studentëve të da Vinci-t.
Pronari 36-vjeçar i apartamentit është arrestuar si i dyshuar për zotërim objektesh të vjedhura, njoftoi policia.
“Piktura u zbulua falë një operacioni të gjerë e të shkëlqyeshëm të policisë,” tha prokurori i Napolit, Giovanni Melillo për mediat.
Vepra artistike ishte pjesë e koleksionit të Doma Museum të kishës së San Domenico Maggiore në Napoli.
Por Melillo tha se zyrtarët atje nuk e kanë kuptuar ende humbjen e pikturës pasi “dhoma ku ajo mbahej nuk është hapur prej muajsh”.
Nuk dihet ende se kur është vjedhur vepra e artit pasi askush nuk e kishte denoncuar për të humbur, por muzeumi tha se kishte verifikuar herën e fundit prezencën e saj janarin e shkuar.
Policia tha se po heton rrethanat e vjedhjes pasi në muzeum nuk ka shenja thyerje.
“Është e mundur që vjedhja të jetë prositur nga një organizatë që punon në kontrabandën ndërkombëtare”, shtoi Melillo.
Ekspertët thonë se autor i saj mund të jetë studenti i Leonardos, Giacomo Alibrandi i cili e ka realizuar në fillim të viteve 1500-të.
Në të shihet Krishti me dorën e ngritur, dhe me dorën tjetër duke mbajtur një sferë të xhamtë.
Misteri i origjinës së saj shtohet nga dyshimet nëse ajo është apo jo një pikturë e Leonardo da Vinci. Leonardo vdiq në 1519 dhe vetëm rreth 20 piktura të tij ekzistojnë.
Kopja ne fjale ka mjaft vlerë, por jo aq sa piktura origjinale e Salvator Mundi.
Ajo ka pësuar disa rinovime që kanë shkaktuar dëme të kryevepra.
Megjithatë kjo nuk ka zbehur interesin e blerësve teksa u shit 450 milionë dollarë në një ankand në 2017.
Top Channel