Kosovë/ KQZ kërkon zyrtarisht verifikimin e kandidatëve për deputetë

18/01/2021 12:50

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë i është drejtuar zyrtarisht institucioneve përgjegjëse për verifikimin e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Zëdhënësi Valmir Elezi, shpjegoi në një konferencë për shtyp se ky institucion u ka dërguar shkresa të veçanta gjashtë institucioneve, për të verifikuar përshtatshmërinë e kandidatëve për deputetë, sic e dikton neni 29 I Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

“Kemi kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës të na i dërgojë emrat nga lista e kandidatëve nëse janë gjykatës, nëse janë subjekt i vendimit të gjykatës me të cilin u është hequr e drejta për të qenë kandidatë dhe nëse janë shpallur fajtorë me vendim të gjykatës në tre vjetët e fundit. Institucionet përgjegjëse të japin në afatin më të shkurtër të mundshëm, por jo më vonë se më 20 janar, 2021, në orën 12:00, të përgjigjen për kërkesat që kanë lidhur me verifikimin e kandidatëve

Në ligj thuhet se kandidatët që janë pjesëtarë të Policisë së Kosovës, pjesëtarë të Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë nuk mund të garojnë për deputetë. Sipas tij,  kandidat nuk mund të jetë një person që është gjykatës, prokuror ose dikush që është i shpallur fajtor me vendim të gjykatës pergjate këtyre tre viteve. Qeveria Hoti u rrëzua pasi Gjykata Kushtetuese e shpalli të pavlefshme votën e deputetit Etem Arifi, e cila ishte vendimtare për krijimin e mazhorancës qeverisëse. Gjykata tha se Arifi kishte qenë i dënuar me një vendim të formës së prerë dhe për këtë arsye ai nuk duhet të ishte kandidat e as të fitonte një mandat.

Top Channel