Drejtuesi politik i PS-së për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi në një bashkëbisedim në Gosë të Rrogozhinës, se si PD-ja, ashtu edhe LSI-ja me PDIU-në, e kanë humbur moralin, pasi ngatërrojnë kauzat patriotike me pazare politike.
“Ankohen për përmbytjet, por një protestë e PD-së në Tiranë shkatërron më shumë dhe bën më shumë dëme financiare se përmbytja. Një djegie e tyre në Tiranë kushton më shumë se ngrica dhe të gjitha aksidentet që mund të ndodhin prej ngricave. Kur të bie tërmeti në parti, siç i ka rënë LSI-së, kur të zë ngrica dhe të kaplon dimri moral siç ka mbuluar PD-në, dhe kur ngatërron kauzat patriotike me pazaret politike, siç i ka ndodhur PDIU-së, ky po që është problem”, deklaroi Veliaj.
Ai shtoi se PS-ja është e vetmja forcë politike, e cila ka treguar përgjegjshmëri në krye të punëve të vendit. Sipas tij, tërmeti dhe pandemia treguan se qeveria dhe bashkitë ishin të gjitha në këmbë për përballimin e situatës, duke qenë pranë njerëzve në nevojë.
“Njerëzit do të mbajnë mend se kur Partia Socialiste është pushtet, mund të bjerë qameti, pandemia, por vendi ka zot, shteti ka qeveri, qyteti ka kryetar. Kjo është më e rëndësishme. Të binte tërmeti në orën 03:54 të mëngjesit dhe të ishte Luli në krye të shtetit, ai jo vetëm që do ishte në gjumë, por do të kthehej në anën tjetër. Do kishim marrë fund se ai zgjohet në 11:00, si përditë. Por, ama diferencën e bën dikush një ngrihet në këmbë për një minutë, një kryeministër që lëviz çdo gur, njohje personale e politike për të sjellë vaksinën”, tha Veliaj.
Top Channel