Presidenti i zgjedhur Biden do të urdhërojë shtimin e vaksinimeve

17/01/2021 04:04
Joe Biden

Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden tha se do të urdhërojë rritjen e prodhimit të shiringave dhe furnizimeve të tjera për të rritur vaksinimin kundër COVID-19 dhe për të përmirësuar administrimin e bërë nga presidenti Trump që ai e quajti një “dështim të tmerrshëm”.

Sipas planit të zotit Biden, punonjësit federalë të ndihmave do të krijojnë mijëra qendra vaksinimi, ku mjekët në pension do të kryejnë vaksinimet për mësuesit, punëtorët e dyqaneve ushqimore, njerëzit mbi 65 vjeç dhe grupe të tjera që nuk kualifikohen aktualisht. Zoti Biden do të aktivizojë Ligjin për Prodhim të Brendshëm për të rritur prodhimin e pajisjeve të nevojshme për të shpërndarë vaksinat. Ai do ta përdorë gjithashtu ligjin për të mbështetur magazinimin e tyre në temperaturat e nevojshme.

Zoti Biden tha se ekipi i tij ka identifikuar kompanitë që janë gati të aktivizohen sipas ligjit, i cili i mundëson presidentit të urdhërojë bizneset të prodhojnë artikuj të nevojshëm për mbrojtjen kombëtare. Shtetet që përdorin Gardën e tyre Kombëtare në këtë përpjekje do të rimbursohen nga qeveria federale, tha ekipi i tranzicionit.

Koronavirusi ka vrarë më shumë se 389,000 njerëz në Shtetet e Bashkuara dhe një këshilltar i lartë i zotit Biden tha të premten se numri i vdekjeve mund të arrijë në 500,000 deri në shkurt. Joe Biden ka premtuar të bëjë më shumë sesa Presidenti Donald Trump për të frenuar virusin dhe për të kryer 100 milionë vaksinime gjatë 100 ditëve të tij të para në detyrë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA