Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë e dënoi ashpër aktin e djegies së flamurit bullgar në një karnaval të mbajtur në qytetin e Vevçanit në Maqedoninë e Veriut.
Pjesëmarrësit në këtë manifestim tradicional, përveç djegies së flamurit, kanë parakaluar me maska e veshje ushtarake, duke treguar, sipas tyre, të kaluarën fashiste të Bullgarisë, ndërsa disa të tjerë mbanin në duar rrënjë pemësh, duke ironizuar me pretendimet bullgare se maqedonasit dhe gjuha e tyre kanë “rrënjë bullgare”.
“Pas njoftimeve në media në lidhje me djegien e flamurit bullgar në Vevçani në Republikën e Maqedonisë së Veriut, udhëzova ambasadorin bullgar në Shkup, Angel Angelov, t’i shprehë Qeverisë së Maqedonisë së Veriut pakënaqësinë tonë të fortë për këtë akt vandalizmi. Ambasadori Angelov tashmë i ka dërguar një notë të mprehtë verbale Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut”, njoftoi ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva. Ministria e Jashtme në Shkup nuk e bëri publike përmbajtjen e letrës, por përmes një deklarate e dënoi dhe ajo aktin e djegies së flamurit bullgar.
“Tradita shekullore nuk duhet të rrezikohet nga aktivitete që përçmojnë ose ofendojnë kombet, shtetet, veçanërisht fqinjët tanë. Ne e dënojmë djegien e flamurit të Republikës së Bullgarisë në karnevalin në Vevçani, si akt që dëmton reputacionin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në reagimin e saj. Incidenti, i dënuar dhe nga presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, vjen në një kohë tensionesh mes dy vendeve, pasi Bullgaria, në nëntor të vitit të kaluar, i vuri veton nisjes në bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian.
Top Channel