Kupa e Gjermanisë regjistron një surprizë të majme. Bayerni i Mynihut i thotë lamtumirën kompeticionit që në fazën e 1/16 të finaleve të tij. Skuadra bavareze, skuadra fituese në fuqi e Kupës u eliminua në mënyrë të befasishme nga Holstein Kiel, skuadër e Bundesliga 2 në futbollin gjerman pas serisë së gjuajtjeve të 11 metërshave.
Koha e rregullt u mbyll me barazimin 2-2 me Bayernin që kaloi në avantazh me anë të Gnabry që në minutën e 14, por Kiel reagoi dhe barazoi rezultatin me Bartels dhe me këtë rezultat u mbyllën këto 45 minuta.
Historia u përsërit edhe pas pushimit të ndeshjes me Bayernin që u rikthye në kryesim të rezultatit në 2-1 pas golit të Sane, por në minutën e 95 Wahl shënoi sërish në portën e bavarezëve duke barazuar shifrat në 2-2 e duke bërë që sfida të shkojë në kohë shtesë kur gjërat nuk ndryshuan kështu që skuadrat iu drejtuan lotarisë së 11 metërshave.
Në këtë moment ishte Kiel që u tregua më i saktë, futbollistët e të cilit nuk gabuan asnjëherë, ndërsa Bayerni u penalizua nga Roca dhe tani e sheh veten të eliminohet nga Kupa e Gjermanisë nga një skuadër e Bundesliga 2.
Top Channel