Mendi Çobo u aksidentua në 16 tetor 2019 në punë, kur makineria i preu krahun dhe e la të paralizuar.
Avokati i Mendit tregon se Prokuroria ka mbyllur hetimin për mungesë provash. Por skandali i kësaj çështje shkon më tej. “Vetë Mendi që është aksidentuar nuk është pyetur nga Prokuroria. Pamjet e kamerave nga vendngjarja janë fshirë nga një oficer policie. Ai vetë tha në gjykatë se pasi i pa pamjet i fshiu sepse nuk ndihmonin hetimin, nuk tregonin asgjë të rëndësishme. Kjo është e rëndë”, thotë avokati.
Mendi rrëfen në “Shqipëria live” si ndodhi ngjarja: “Isha duke punuar dhe u prish makineria. E fika dhe i thashë djalit të pronarit që ishte aty mos e ndiz. Hipa sipër dhe pastaj u ndez makineria, unë kisha krahun brenda. Thashë po vdes dhe nuk mend mend asgjë më”.
Ai thotë se punonte në të zezë, nuk ishte i siguruar, dhe kompania nuk pranoi as ta ndihmonte për kurimin. “Nuk më kanë dhënë asnjë lekë”.
Gruaja e Mendit tregon se nuk kanë asnjë të ardhur. “Unë duhet të jem në dispozicion të burrit dhe nuk punoj. Ka kaluar një vit e gjysmë dhe Mendi nuk ka përfituar kemp. momentalisht asnjë të ardhur nuk kemi, as kemp nuk merr Mendi, për shkak të burokracive. Dua drejtësi për burrin, të marrë dëmshpërblimin që i takon dhe të paguajnë për atë që i ka ndodhur Mendit“.
Mendi është babi i një vajze dhe rrëfen sa e vështirë është për të: “Unë nuk po kërkoj lëmoshë, dua atë që më takon. Kur më sheh vajza 4 vjeçe, thotë si ta ndihmoj babin. Unë jam shumë keq”.
Top Channel